Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve tona, është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës.
Rizvanolli ka shkruar në Facebook se Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
“Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacenuar”, tha ajo.
Ministrja Rizvanolli tutje thekson se janë në koordinim edhe me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale.
“Nga ky akt terrorist është ndikuar edhe furnizimi me ujë. Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, tha ajo.