
Zyra Kombëtare e Auditimit, ka publikuar gjetjet për Ministrinë e Mbrojtjes. Në raportin e auditimit për vitin 2024, fushat me problemet më të theksuara kanë të bëjnë me menaxhimin e kontratave që kishin të bënin me vonesat në furnizim, si rezultat i mos krijimit të kushteve nga ministria, shkruan Insajderi.
Ministria në vitin 2024 ka shpenzuar rreth 97% të buxhetit final apo 169,781,668€ me një rritje të realizimit prej 10% krahasuar me vitin paraprak.
Sipas raportit të ZKA-së, ministria, ka probleme serioze me kontratat me furnizim.
Madje, një kontratë ka pasur vonesë si pasojë e mos përgjegjësisë së Ministrisë. Ky dikaster kishte dërguar e-mail kompanisë në adresën që nuk e kishte funksionale.
Cilat ishin kontratat që furnizimi u bë me vonesë?
Furnizimet me çizme në vlerë 629,660€ ishin bërë me një vonesë prej 55 ditë.
Pas nënshkrimit të kontratës, në kohën kur ishte bërë porosia OE kishte kërkuar modelin e mostrës me të cilën kishte ofertuar në Ministri. Zyrtarët përgjegjës kishin hezituar dhënien e mostrës.
“Pas nënshkrimit të kontratës AK kishte bërë porosinë e mallit me datën 29.04.2024 kurse pranimi i mallit ishte bërë në dy pjesë me datë 10.10.2024 dhe 21.10.2024. Afati për furnizim sipas kontratës ishte 120 ditë. Tenderi për furnizim me çizme ishte nisur dy vite më herët por që për shkak të ankesave në OSHP ishte prolonguar procesi i dhënies së kontratës. Pas nënshkrimit të kontratës, në kohën kur ishte bërë porosia OE kishte kërkuar modelin e mostrës me të cilën kishte ofertuar në Ministri. Zyrtarët përgjegjës kishin hezituar dhënien e mostrës dhe dakordimi për t’ia ofruar mostrën OE kishte marrë kohë“, thuhet aty.
Furnizimi me pjesë kamioni në vlerë 4,402€ ishte bërë me vonesë 45 ditë.
“Afati i liferimit për pjesë rezervë sipas nenit 2 të kontratës ishte: për pjesën A të furnizimeve 15 ditë, kurse pjesën B 60 ditë nga momenti i porosisë. Furnizimi i pjesës A ishte bërë me 45 ditë vonesë, pasi që OE kishte bërë furnizimin sipas kriterit të pjesëve B. Ministria nuk kishte zbatuar penalet siç parasheh kontrata duke e justifikuar vonesën e OE-së“.
Furnizimi me uniformë për kadet në vlerë 19,378€ ishte bërë me 13 ditë vonesë si pasojë e mungesës së komunikimit.
Ministria kishte dërguar kompanisë fituese e-mail në adresën që nuk e kishte funksionale.
“Urdhërblerja nga AK ishte dërguar në një email jofunksional të operatorit ekonomik, dhe në kohën e dërgimit nuk kishte pasur ndonjë komunikim tjetër për të konfirmuar nëse porosia kishte arritur në adresën e duhur. Menaxheri i kontratës nuk ishte siguruar me kohë për këtë lëshim teknik nga ana e tyre”, thuhet në gjetje.
Furnizimi me emblema dhe grada ushtarake në vlerë 29,999€ ishte bërë me 34 ditë vonesë.
“Sipas nenit 2 të kontratës afati për dorëzim ishte 30 ditë nga momenti i lëshimit të urdhërblerjes. Vonesa kishte ndodhur pasi që AK përkundër porosisë që e kishte bërë kërkonte shtyrje të afatit për pranimin e mallit (me arsyetimin e angazhimeve tjera dhe se kryesuesi i komisionit ishte në pushim). Më tutje, AK kishte kërkuar nga OE të bëjë ndryshimin e dy pozicioneve e për këtë arsye, OE më pas kërkoi shtyrje të afatit prej 2-3 javësh për realizimin e këtij ndryshimi. Porosia ishte bërë me dt. 26.02.2024, kurse pranimi i mallit më dt. 30.04.2024;
Po ashtu, te furnizimi tjetër me emblema, shenja dhe grada në vlerë 20,037€ kishte vonesa në pranimin e mallit për 13 ditë, pasi që vendimi për caktimin e komisionit të pranimit të mallit ishte bërë me vonesë
Furnizimi me gypa plastik në vlerë 18,900€ ishte bërë me 17 ditë vonesë, për shkakun që Ministria nuk kishte krijuar kushtet e nevojshme për pranimin e mallit, dhe kishte kërkuar nga OE të mos e bëjë furnizimin përkundër porosisë që e kishte bërë.
Sipas raportit të ZKA-së, ministria, kishte mangësi edhe kompensimi jo i plotë për punën jashtë orarit, tejkalim i afatit ligjor për ushtrues e detyrave dhe mangësi në menaxhimin e barnave dhe të prokurimit.
Ky raport ka rezultuar me shtatë (7) rekomandime, prej tyre katër (4) janë rekomandime të reja, një (1) rekomandim i përsëritur dhe dy (2) pjesërisht të përsëritura./Insajderi.org/