Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury do të përballen sërish, kësaj radhe në një rimeç më 21 dhjetor në Arabinë Saudite.
Të dy këta rivalë u përplasën gjashtë muaj më parë në Riad, me Usyk që mposhti Furyn me një vendim të ndarë të gjyqtarëve.
Ishte një natë historike me Usyk duke u bërë kampioni i parë i epokës moderne në peshën e rëndë me katër rripa dhe ata do të luftojnë sërish, por tani me 3 rripa në garë.
Kur është ‘përballja e shekullit’
Meçet në Arabinë Saudite kanë pasur orare të ndryshme, me disa përballje që janë zhvilluar pas mesnate, por organizatorët po tentojnë që dueli Usyk – Fury të nisë para orëve të mesnatës.
Undercard pritet të fillojë në ora 19:00, ndërsa meçi kryesor synohet të nisë në 23:00.
Krahasimi Usyk – Fury
Usyk është i pamposhtur në 22 përballje, duke fituar të gjitha, 14 nga të cilat me nokaut.
Lëvizjet e tij janë arma më e fortë në ring. Ai ka mposhtur emra të mëdhenj si Anthony Joshua, Daniel Dubois e Tony Bellew, por fitorja ndaj Furyt mbetet më e rëndësishmja në karrierë.
Fury, në anën tjetër ka avantazhin e gjatësisë dhe shtrirjes së duarve.
Humbja ndaj Usyk ishte e para për të në 16 vite si profesionist, me rekordin e tij që tani është 34 fitore, një humbje dhe një barazim.
Fury ka fituar të gjithë titujt, ndonëse jo të gjithë në të njëjtën kohë si Usyk.