“Me standarde të larta, fushë e kualitetit të fundit”, kështu e kishte vlerësuar para dy jave, stadiumin “Fadil Vokrri” , kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Por, vetëm pak kohë pas kësaj deklarate kjo fushë u mbyll për 25 ditë.
Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë u bë temë debati në javët e fundit për shkak të gjendjes së saj të mjerueshme përkundër investimeve për renovimin e saj.
Agim Ademi, me 30 gusht i ishte përgjigjur kritikave duke thënë se fusha është e kualitetit dhe investimet janë bërë me standarde të shkëlqyeshme.
“Arsyetimet e trajnerit të Legias se për shkak të fushës së dobët nuk patëm lojë nuk qëndrojnë, sepse të gjithë e dinë se fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin.
“Fusha është aty dhe mund të vizitohet nga çdokush dhe të kënaqet me një fushë e cila është e kualitetit të fundit. Falënderojmë MKRS-në dhe ministrin Hajrulla Çeku për investimin në këtë fushë, e cila ka arritur standarde të shkëlqyeshme”, kishte shkruar në “Facebook” Ademi.
Por, vetëm pak javë pasi kryetari i FFK-së Agim Ademi, u mburr me këtë fushë e njëjta u mbyll.
Federata e Futbollit të Kosovës, sot ka njoftuar se stadiumi “Fadil Vokrri” do të mbyllet edhe për 25 ditë. Në komunikatë thuhet se ekspert i UEFA-s ka shpjeguar se bari është natyral pavarësisht kritikave, por ka nevojë për kohë për procesin e rritjes.
Ministria e Sportit i kishte shpenzuar 1,3 milion euro për vendosjen e fushës hibride, që është kombinim mes barit natyral dhe atij artificial.