Futbollistët, ata që “cënokan” flirtin mes Shqipërisë dhe Kosovës - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Futbollistët, ata që “cënokan” flirtin mes Shqipërisë dhe Kosovës

    Insajderi
    07 November 2016 - 14:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fjalët e presidentit Duka, me rastin e çmimit “Mirënjohje” në Kosovë, nuk mund të kalonin pa lënë gjurmë: “Futbollistët të mos na fusin në konflikt me Kosovën. Kemi punuar edhe natën për të nxjerrë minutat e futbollistëve, që kanë luajtur në të kaluarën me Shqipërinë dhe zgjodhën për të luajtur Kosovën”.

    Fjalë që kanë tingëlluar me mungesë respekti për ata që e dinë fare mirë se cili është niveli i sinqeritetit midis dy federatave. E paskan bërë natën ditë, për hir të rimëkëmbjes së vëllait të vogël, veçse nuk tregojnë, kur ditën e kanë bërë natë. Pas çmimit “Mirënjohje” të presidentit tonë, rikthehet bujshëm flirti i dashurisë midis dy palëve, që vetëm disa javë më parë nuk lejonin flamurin të valëvitej në stadium, pikërisht kur vëllai i vogël do të hidhte hapat e parë.

    Apo rasti tjetër, kur trajneri Bunjaki e kapërcente të drejtën për të mbështetur FIFA-n, duke i lejuar vetes fjalët “Nuk do të ketë flamur shqiptar në Finlandë, por as edhe në Shkodër”. E bëri me kokën e tij apo të Fadilit? Shefat Duka e Vokri, sipas një stili të trashëguar, nuk u shfaqën në publik, ndoshta me porosi të të huajve.

    Ju kujtohet pagëzimi “tradhtar” për futbollistët me origjinë shqiptare, të cilët zgjidhnin të luanin për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë? Atëherë, sikur nuk ishin këta drejtues, u frymëzua fushata që shkelte me të dyja këmbët të drejtën për të zgjedhur vetë futbollisti. Punët janë ndryshe me Kosovën, sidomos pas një çmimi që mban emrin pretendues “Mirënjohje”, futbollistët mund të zgjedhin lumturinë futbollistike, pa hile dhe pa prapaskena.

    Një hipokrizi që u pëlqen të dyja palëve, një shtirje që mbahet gjallë nga dy presidentët, kur betohen se, për hir të moralit kuqezi, nuk do ta tradhtonin njëritjetrin.

    Mund të gabojnë trajnerët kur “peshkojnë” pa leje në detin e talenteve në mërgim, kurse presidentët, ndryshe nga populli që ka frikë të shpalosë flamurin në stadium, i kanë lidhur zemrat me një flamur tjetër.

    Opinion nga Gëzim Sinemati – publikuar në Panorama-Sport


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark