×
  • Lajme
  • Lajme

    “Fyerje ndaj veteranëve e invalidëve”, nënshkrimi i Shaqir Totajt mbi llogon e UÇK’së nuk pritet mirë, nga komuna kërkojnë falje: Ishte gabim teknik

    Insajderi
    18 June 2024 - 14:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me 12 qershor, në 25 vjetorin e ditës së Çlirimit të Prizrenit, kryetari Shaqir Totaj, kishte mirëpritur përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta, veteranët dhe invalidët e UÇK-së, në shenjë respekti për kontributin në çlirimin e vendit.

    Mirëpo, një detaj mori vëmendje duke mos u prit aspak mirë. U cilësua si fyerje ndaj UÇK-së dhe veteranëve e invalidëve.

    Komuna e Prizrenit për nderë të kësaj dite kishte vendosur që të shtypnin disa emblema të UÇK’së, të cilat u vendosën nëpër bluza të të gjithë pjesëmarrësve. Por, mbi llogo të UÇK-së u vendos edhe nënshkrimi kryetarit Shaqir Totaj.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me komunën e Prizrenit. Shefi i Logjistikës, Sami Vehapi, në një përgjigje tha se gabimi ka qenë i operatorit ekonomik. Pasi janë shpërndarë emblemat nuk është vërejtur gabimi.

    “Duke qenë përgjegjës për shtypjen dhe furnizimin, ju informoj që gabimi ka qenë i operatorit Ekonomik i cili ka shtypur propozimin ideor të tyre gabimisht. Emblemat e printuara gabimisht kanë arritur diku rreth orës 8 e 30 dhe janë shpërndarë nga punëtorët pa e vërejtur gabimin gjatë printimit pasi që e kemi vërejtur e kemi ndal shpërndarjen e emblemave”, tha Vehapi.

    Ai tha se për këtë gabim janë marrë masa ndaj operatorit ekonomik.

    “Për të njëjtën janë marr masat ndaj operatorit dhe nuk është bërë pagesa për shkak të gabimit në shtypje. Duke qenë vetë veteran i UÇK-ës kërkoj falje ndaj gjithë atyre që janë ndier të ofenduar pas gabimit teknik. Mbaj përgjegjësi personale për gabimin e ndodhur”, shtoi ai.

    Tutje, në një përgjigje për Gazetën Insajderi kanë folur edhe nga kompania e cila i ka printuar emblemat për ditën e çlirimit.

    “Ka ndodhur një gabim teknik ku shenja në fjalë ka qenë e formuar si propozim i parë nga dizajneri ynë, dhe pasi kemi marrë sugjerimet nga zyrtari komunal për rregullimet teknike janë bërë rregullimet tek texti “Falemderit” në (Faleminderit).

    Tutje ata dhanë edhe një sqarim lidhur me nënshkrimin e Totajt në llogo.

    “Tek nënshkrimi ku është kërkuar të zbritet me poshtë llogos së UÇK-së dhe kemi marrë aprovimin me vazhdimin e printimit të shenjave. Pas rregullimit ka ndodhë gabimi ku fajlli i rregulluar nuk është ruajtur teknikisht “save” në server dhe është vazhduar me printimin ne mënyre automatike me fajllin e gabuar. Gabimi është vërejtur rreth ores 10:00 te ditës se çlirimit nga z. Sami. Ku edhe e kuptuam se çka ka ndodhë”. Me ketë ju njoftojmë se gabimet janë nga ana jone dhe ju kërkojmë falje publikisht në emër te te gjithëve qe janë ndier të ofenduar me ketë rast”, thanë nga operatori ekonomik që kanë printuar emblemat.

    Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe asamblistja e VV’së në Prizren, Dafina Alishani, e cila e ka quajtur këtë veprim si fyerje ndaj UÇK’së.

    “Kjo çka paska bërë kryetari i Komunës Shaqir Totaj është shumë fyese për UÇK në. Ashtu si qysh UÇK ja është e shenjtë edhe llogoja do duhej të jetë. Vendosja e nënshkrimit të kryetarit mbi llogo është fyerje për të gjithë”, ka thënë ajo./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark