Udhëheqësit e 20 vendeve më të industrializuara në botë dhe vendeve në zhvillim sot njëzëri mbështetën normën minimale globale të taksës së korporatave prej të paktën 15 për qind.
Ministrat e financave të G20 ranë dakord për një taksë minimale prej 15 për qind disa muaj më parë dhe miratimi zyrtar i saj pritej në samitin e fuqive ekonomike botërore sot në Romë.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen vlerësoi se marrëveshja për rregullat e reja ndërkombëtare të taksave, me një taksë minimale globale, “do të ndalojë garën e dëmshme deri në fund të taksimit të korporatave”.
“Duke vendosur, për herë të parë në histori, një taksë globale, më në fund do të barazojmë fushën e lojës për të gjithë punëtorët dhe taksapaguesit amerikanë, së bashku me pjesën tjetër të botës”, tha më herët presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Qëllimi i rregullave globale për taksimin e korporatave shumëkombëshe është të shtypin parajsat fiskale dhe të ndalojnë garën për të ulur taksat me të cilat shumë vende joshin kompanitë, ndërsa të tjerat mbeten pa të ardhurat e nevojshme.