Gafë apo veprim i qëllimshëm i RTK-së? Filharmonia sqaron pse u dëgjua ezani në koncert - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gafë apo veprim i qëllimshëm i RTK-së? Filharmonia sqaron pse u dëgjua ezani në koncert

    Insajderi
    10 July 2024 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Filharmonia e Kosovës, më 6 korrik, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbajti “Koncertin për Paqe”. Mirëpo, një detaj që i ka ikur Radio Televizionit të Kosovës në rrjetet sociale i ka dhënë një konotacion tjetër këtij koncerti. Në këtë koncert janë interpretuar tri vepra. Por, RTK në rrjetin social “Facebook”, shkruante se “gjatë koncertit për Paqen, një pikë e Filharmonisë fillon me thirrjen e ezanit, duke mos cekur që është në kuadër të njërës prej veprave.

    Për këtë Insajderi ka kërkuar sqarime shtesë nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë së Kosovës.

    Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj tha për Insajderin se RTK e ka nxjerr në rrjetin social “Facebook” të shkëputur kohën e dytë të veprës “Njeriu me armë: Meshë për paqe”.

    “Është vepër fort e njohur, në skena të mëdha botërore, nga orkestra të mëdha po ashtu “është thirrur Ezani” hiç më pak se tre mijë herë”, ka sqaruar ai.

    Sipas tij forma e prezantimit të koncertit nga ana e RTK-së në rrjetin social “Facebook”, ka qenë një informatë çorientuese dhe si e tillë e ka keq informuar opinionin për koncertin.

    “Kjo formë e prezantimit të koncertit ka qenë një informatë çorientuese e cila si e tillë e ka keq informuar opinionin për koncertin, përmbajtjen dhe kontekstin. Ezanin nuk kemi vendosur “ta thirrim”, ezani është pjesë e një vepre të cilën kemi zgjedhur ta interpretojmë për shkak se është krijuar në kohën, siç edhe e ka deklaruar vet kompozitori në një intervistë për “Kohën Ditore” (mars 2015), i trishtuar nga imazhet e masakrimit të shqiptarëve në Kosovë bazuar në raportimet e mediumeve britanike dhe jo vetëm”, sqaron tutje u.d i Filharmonisë.

    Në përgjigjen e tij, Selimaj ka treguar se përse është rikthyer interpretimi i kësaj vepre, dhe cili është mesazhi prapa saj.

    Rikthimi në 25-vjetor i kësaj vepre madhështore rikthen zërat e luftës duke përçuar mesazhin për paqe në një kohë kur bota vazhdon të jetë në luftë, mesazhi për paqe i një vendi të dalë nga lufta përmes një vepre madhështore muzikore që burim inspirimi ka vuajtjen e po atij populli përfshirë po ata muzikantë që u ngjitën në skenë merr një kuptim të fuqishëm, ani pse vepra deri më tani me mesazh të njëjtë ka mbi 3 mijë interpretime në mbarë globin”, ka deklaruar ai.

    Koncerti është mbajtur më 6 korrik 2024 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në shënim të dy përvjetorëve: 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në këtë koncert janë interpretuar tri vepra: e para “Njeriu me Armë: Meshë për Paqe” nga Karl Jenkins dhe dy vepra nga John Philip Sousa “The Washington Post” dhe “The Stars and Stripes Forever”. /Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark