I liruari nga burgu i Shkupit, Gafurr Dugolli i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar për t’u liruar.
Në një postim në Facebook, Dugolli ka thënë se akuzat ndaj tij janë shpifje të Serbisë. Ka thënë se për lirimin e tij u angazhuan të gjithë, veçanërisht ambasadori kosovar në Shkup, Ylber Hysa.
“Miq, shokë, kolegë, bashkëluftëtarë, bashkëkombës, familjarë, duke mos pasur mundësi teknike që secilit te ua kthej mesazhet, po ju shkruaj këtu për t’ju falënderuar nga zemra për interesimin e solidaritetin qe patët për mua, dhe jo vetëm, duke më përkrahur mua ju përkrahët edhe kauzën e drejtë të luftës sonë çlirimtare”, ka thënë Dugolli.
Ai ka garantuar se këto akuza janë vetëm shpifje të ulëta…, të bëra nga Serbia.
“Dua që ta dini që për lirimin tim u angazhuan edhe Qeveria jonë edhe liderët shqiptarë në Maqedoni. Falënderoj ambasadorin tonë Ylber Hysa për angazhimin maksimal dhe të pandalshëm. Falënderoj mediat që i dhanë rëndësi kësaj çështjeje, gazetat shqiptare në Maqedoni Koha dhe Lajmi”, ka thënë Dugolli.
Ka falënderuar po ashtu shqiptarët në burgun e Shkupit “Shutka” “që në mundësitë e tyre të kufizuara, më dhanë bukë dhe më ndihmuan t’i kaloj sa më lehtë këto ditë”.
“Bej thirrje që ta forcojmë shtetin tonë sa më shumë, dhe u bej thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të bashkohen, se rrugë tjetër nuk ka. Kemi një armik të përbetuar i cili nuk po heq dorë nga pretendimet dhe vetëm bashkimi jonë mund ta ndalë”. /Insajderi.com