Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kritikuar fjalimin e deputetit të LVV-së, Valon Ramadani. Ky i fundit, siç tha ajo, bëri lojë fjalësh kur tha se “PDK po mundohet të bëhet si LVV”. Musliu deklaroi se partia në pushtet nuk ka bërë asnjë punë të vetme dhe se mund të flasin vetëm për “Urën e Saradranit”.
Kështu u shpreh ajo në seancë plenare, ku në rend dite është propozimi i PDK-së për shkarkimin e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
“Valon Ramadani i instruktuar nga Dejona Mihali, ndër të tjerash në këtë foltore tha se ‘po mundoheni ju që ne të dukemi si ju’. Sepse këta kanë qejf të luajnë kështu me lojë fjalësh. Gjoja se po mundohet PDK të bëjë LVV-në të duket si PDK-ja. Por le të harron Vetëvendosja se e para ne kurrë nuk duam të dukemi si Vetëvendosja e këta kërkojnë me u duk si PDK-ja, duhet me ju ra teshat tamon. Këta nuk kanë bërë asnjë punë të vetme, për tu dukur këta si PDK duhet me ardh me fol për dy mijë kilometra autostradë. E këta mund të flasin për Urën e Saradranit, e për atë nuk munden me u duk si PDK”, deklaroi Musliu.
Më tej, Musliu tha informacionet nga RTK-ja tregojnë se Dejona Mihali emëron dhe shkarkon stafin e transmetuesit publik dhe udhëheq këtë institucion.
Musliu tutje ka kërkuar nga pushteti që ti mbajë larg duart nga AKI-ja.
“Dua vetëm një fjalë të ja them Lëvizjes Vetëvendosje, qoftë Dejona Mihalit, qoftë mashave tjera, larg duart nga AKI-ja. Sepse nuk ju garantoj që në seancën tjetër dal flas emër për emër për secilin dështim dhe për secilin ndërhyrje që po tenton LVV-ja ta kap AKI-në”, shtoi Musliu.