Sot, Instituti GAP ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar të gjeturat e hulumtimit “Adresimi i Përgjegjësisë – Njohuritë e Qytetarëve me kompetencat e Komunave”.
Nora Latifi – Jashari, Drejtoreshë Ekzekutive në Institutin GAP, tregoi se qëllimi i këtij hulumtimi është matja e njohurive të qytetarëve me kompetencat e nivelit qendror dhe lokal dhe adresimi i përgjegjësive në mes të dy niveleve të qeverisjes.
Zakonisht, gjatë fushatave zgjedhore kandidatët për kryetarë komunash japin premtime për zgjidhjen e problemeve edhe në fushat të cilat nuk bien në kompetencat e komunave. Si për shembull, janë dhënë premtime për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike, hapje te fabrikave, hapje të aeroportit, etj.
Instituti GAP ka zhvilluar një anketë në 38 komuna të Kosovës me 1,000 qytetarë të Kosovës ku popullata e përgjithshme është ndarë në bazë të përkatësisë etnike dhe vendbanimeve. Qytetarët janë pyetur për çështje të ndryshme të shërbimeve publike, si menaxhimin e mbeturinave, furnizimin me ujë të pijshëm, mirëmbajtjen e rrugëve, rritjen e pagave në arsim e shëndetësi, etj. Ajo theksoi se është e rëndësishme që të qartësohen kompetencat dhe të rritet vetëdija e qytetarëve të Kosovës me qëllim që të rritet angazhimi qytetar dhe presioni për ofrim të shërbimeve më të mira.
Bekim Salihu, Hulumtues i lartë në Institutin GAP, theksoi se qytetarët kanë njohuri të mjaftueshme për institucionet përgjegjëse për kryerjen e shërbimeve të ndryshme publike.
Mbi 85% e qytetarëve dinin se menaxhimi i mbeturinave është kompetencë e komunës dhe kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave. Ndërsa afër 80% e qytetarëve janë në dijeni se furnizimi me ujë është kompetencë e kompanisë rajonale për furnizim me ujë, kurse vetëm 13,3 % mendojnë se kjo është kompetencë vetëm e komunës.
Në disa raste tjera, qytetarët mbajnë përgjegjës komunën për çështje që bien në kompetencë të nivelit qendror. Të pyetur se në cilin institucion duhet aplikuar për t’u pajisur me letërnjoftim dhe pasaportë, mbi 50% e të anketuarve mendojnë se adresa për këtë është komuna, kurse 34.3% janë në dijeni se adresa e saktë është Ministria e Punëve të Brendshme./Insajderi.com