×
  • Lajme
  • Insajderi

    “…garantojmë të drejtat e punëtorëve, do të forcojmë sindikatat”, premtimi i dikurshem i Kurtit opozitar

    Insajderi
    25 August 2022 - 14:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Derisa ishte në opozitë Albin Kurti, kishte premtuar garantim të të drejtave të punëtorëve dhe forcim të sindikatave, por kur erdhi në pushtet jo vetëm se nuk i zgjidhi hallet e tyre por i kundërshtoi thirrjet e BSPK-së për grevë duke thënë se “nuk është koha për greva, por koha për punë”.

    “Përmes modelit tonë ekonomik neo-Keynesian, përmes shtetit zhvillimor, ne jo vetëm që do ta luftojmë papunësinë; ne do të garantojmë të drejtat e punëtorëve, do të forcojmë sindikatat dhe do të mundësojmë kontratat kolektive…” kjo fjali e formuluar bukur, ishte pjesë e një fjalimit të gjatë të Albin Kurtit opozitar.

    Fjalimin Kurti e pati mbajtur gjatë punimeve të Këshillit të Internacionales Socialiste që po mbahej me 26-27 qershor 2018 në selinë e OKB-së.

    Por si për ironi të fatit, katër vite pasi Kurti dha këto fjalë të mëdha për forcimin e sindikatave, po mundohet ta “shtypë” zërin sindikal në Kosovë.

    Pikërisht në ditën kur edhe nisi greva e BSPK-së, pas refuzimeve të qëverisë për t`ua plotësuar kërkesën për shtesat prej 100 euro për punëtorët, nga Ministria e Financave të qeverisë së Kurtit, atyre u shkoi një kërcënim.

    Përmes një emaili zyrtar zv/sekretari i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, i kërkoi listën e personave që kanë hyrë në grevë, për t`i ndëshkuar me pagë.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi vetë Spahiu.

    “Po është kërkesë ligjore është neni 18 i Ligjit për Greva, paragrafi 1, i cila kërkon që persona që janë në grevë tu pezullohen paga dhe përgjegjësia nga puna. Neni 18 i Ligjit për Greva kërkon pezullimin e kontratës së punë dhe të mos këtë përgjegjësi me punu po ashtu edhe të mos paguhet, vetëm për këtë arsyeje e kemi dërguar emalin”, tha Spahiu per Insajderin.

    Madje Spahiu tha se Ministria e Financave nuk ka qenë e njoftuar për grevë më herët dhe se sot ishin njoftuar.

    “Sot e kemi marrë njoftimin për grevë nuk kemi pas më herët njoftim. I kemi shkruar sindikatave dhe i kemi garantuar që nuk e pengojmë grevën vetëm proceduralisht na duhet me ditë kush është në grevë, prej kujt mundemi të kërkojmë punë dhe prej kujt jo. Ne kemi pranuar sot email prej Ali Sefaj dhe ati i kemi kthyer emailin duke i treguar se administrativisht duhet zhvilluar disa procedura pa e penguar procesin e grevës”, tha Spahiu për Insajderi.

    Këtë kërkesë të ministrisë së Financave po e cilëson skandaloze kreu i Grevistëve të BSPK-së, njëherit kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj derisa paralajmëroi se mund të ketë situata të rënduara.

    Ai tha për Insajderin se sipas ligjit për greva nuk mund të merren masa ndëshkuese ndaj grevistëve.

    “Urojë të jetë dezinformatë. Por nëse është e vërtetë është një hap tejet i gabuar dhe skandaloz qoftë i ministrit Murati qoftë i Qeverisë Kurti, greva jonë është legjitime e paraparë edhe me ligjin për grevë, duhet ta lexojnë këtë ligj. Dhe aty thuhet se në grevën legjitime s’mund të merret asnjë masë ndëshkuese, me largim nga puna apo ndonjë ndëshkim tjetër material“, tha Jasharaj për Insajderin.

    Pavarësisht premtimeve për forcimin e sinidikatave, përpjekje fare minimaliste për ta bërë këtë ka treguar Kurti si kryeministër, ndaj sindikalistëve që me ngulmë tash e sa kohë po kërkojnë 100 euro deri në hyrjen në fuqi të ligjit të pagave.

    Në qershor kur edhe dolën në rrugë për të protestuar BSPK, Kurti i ftoi në zyrë, por takimi nuk përfundoi me ndonjë zgjidhe për kërkesat e punëtorëve.

    Ndërsa thirrjet e vazhdueshme të BSPK-së nuk u trajtuan me seriozitet.

    Madje vetëm një ditë para se të niste greva, Kurti në konferencë për media tha se nuk ishte koha për greva por koha për punë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark