×
  • Lajme
  • Lajme

    Gashët e arrestuar për plantacionin me kanabis në Klinë, Gjykata merr vendim

    Insajderi
    31 October 2024 - 17:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur masën e paraburgimit prej 1 muaj ndaj tre Gashëve të arrestuar për plantacionin me kanabis në Klinë. Gzim, Faik dhe Selim Gashi do të qëndrojnë në paraburgim deri me 29 nëntor.

    “Aprovohet kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti i Krimeve të Rënda, dt.31.10.2024, për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në vendimin e gjykatës të cilin e posedon Insajderi.

    Lidhur me rastin Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht.

    Të tre kanë qenë në arrati për disa muaj lidhur me mbjelljen e një plantacioni marihuane në Klinë. Janë kapur dje dhe sot nga Policia dhe Prokuroria e Pejës.

    Në dosjen e Prokurorisë për rastin e madh të plantacionit të drogës në Klinë, i cili po udhëhiqet nga prokurori Ersan Qavolli, bëhet e ditur se Gzim dhe Faik Gashi kishin marrë një shtëpi me qira dhe s’e kishin ndërmend të dorëzoheshin.

    Po ashtu referuar faktit se të pandehurit Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi nga momenti i kryerjes së veprës penale, ani pse kanë qenë në dijeni se janë në kërkim nga organet e hetuesisë ata prapë se prapë arratisen. Të pandehurit Gzim dhe Faik qëndrojnë në arrati deri me datën 30.10.2024 kur pas një pune të shkëlqyer të Policisë së Kosovës, Njësitit për hetimin me narkotik në Pejë dhe institucioneve tjera relevante janë arrestuar në një shtëpi të cilën e kishin marrë me qira dhe kjo rrjedhimisht nënkupton se ata nuk e kishin fare në plan për tu dorëzuar. Po ashtu i pandehuri Selim Gashi qëndron në arrati deri me datën 31.10.2024 kur edhe arrestohet nga Policia e Kosovës, stacioni policor në Klinë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Insajderi.

    Prokurori Qavolli në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, për pasojë, kërkon që të vendoset masa e paraburgimit meqë ekziston rreziku real për arratisje.

    Në arsyetimin e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit bëhet e ditur se gjatë momentit të arrestimit, Gzim Gashi dje e ka thyer telefonin në mënyrë që të pamundësojë ekzeminimin e telefonit të tij.

    Do të ekzaminohet telefoni i të pandehurit Gzim Gashi e të cilin e ka thyer në momentin e arrestimit dhe këtë e ka bërë pikërisht që të pamundësojë ekzaminimin e tij ngase aty sigurisht se ka prova tjera të shumta. Do të ekzaminohen provat e sekuestruara nga vendi i ngjarjes dhe provat tjera materiale“.

    Prokuroria bën të ditur se ende nuk dihet vendndodhja e njërit nga të kërkuarit, Albion Kalemi.

    Prokurori Qavolli në përpilimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit përkujton edhe dosjen e trashë kriminale të tre të dyshuarve që sapo janë kapur nga njësiti kundër drogës në Pejë.

    I pandehuri Faik Gashi është i njohur për organet policore sepse nga data baza policore rezulton se i njëjti në dy raste është si i dyshuar dhe atë në rastin për vepër penale falsifikimi i dokumentit zyrtar nga neni 427 i KPRK-së dhe rasti për vepër penale falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 i KPRK-së.

    Po ashtu i pandehuri Gzim Gashi referuar data bazës të Policisë së Kosovës është i përfshirë në 67 raste penale si i dyshuar, ndërsa bazuar në ekstraktin mbi dënimet penale, kundër tij janë nxjerr 22 aktgjykime të formës së prerë.

    I pandehuri Selim Gashi referuar data bazë së Policisë së Kosovës është i dyshuar në 9 raste penale. Po ashtu është i njohur për organet e drejtësisë sepse i njëjti në bazë të ekstraktit mbi dënimet penal është i dënuar me dy aktgjykime të formës së prerë”, thuhet në caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarit“, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë së Pejës.

    Gzim dhe Faik Gashi javë më parë kanë kërcënuar edhe prokurorin e këtij rasti, Ersan Qavolli.

    Prokurori për Insajderin dje ka thënë se njësiti për hetimin e trafikimit me narkotik në Pejë në bashkëpunim me njësitë tjera policore FIT, Fast Kosova dhe AKI, ishin të angazhuar intensivisht për kapjen e tre të dyshuarve./GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark