Profesori universitar Ibrahim Gashi ka bërë me dije se proceset politike dhe ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova e kanë shtyrë t’i rikthehet skenës politike.
Ai ka thwnw se zgjodhi PDK-në për ta vazhduar karrierën e tij politike për dy arsye: së pari, se PDK-në e konsideron parti kontribuuese të çlirimit, të pavarësimit dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe, së dyti, pasi sot shumë çlirimtarë nga regjioni i Drenicës, që dhanë shumë për lirinë dhe luftën, po akuzohen me akuza të sajuara.
“Në këtë situatë unë kam ndier obligim të bashkohem me partinë e cila më së miri mund dhe do t’i mbrojë këto vlera”, ka thënë Gashi, shkruan Epoka e re.
Ai thotë se nuk sheh në horizont ndonjë alternativë politike të re apo ekzistuese që do ta rrezikonte vendin e parë për PDK-në.
“Në bazë, jo vetëm të sondazheve të publikuara, por edhe të vrojtimeve të mia derisa kam qenë i papërfshirë në PDK, nuk shoh se duket në horizont ndonjë alternativë politike e re apo ekzistuese që do ta rrezikonte vendin e parë për PDK-në. Pra, në zgjedhjet e ardhshme e shoh, pa diskutim, PDK-në forcën e parë politike në vend”, ka shtuar Gashi.
Sipas tij, tash mbetet në vlerësimin e lidershipit të PDK-së se çfarë angazhimi do të ketë në këtë parti.
“Unë do të kontribuoj për PDK-në si një kuadër me një përvojë modeste dhe anëtarësia dhe lidershipi i partisë do të vlerësojnë se ku duhet të jem unë”, është shprehur Gashi.
I pyetur nëse do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar pas procesit të riformatimit të Qeverisë, ai ka thënë se nuk ka shprehur asnjë kërkesë të tillë me rastin e vendimit të tij për t’iu bashkuar PDK-së.