Lionel Messi e ka gjetur rehatinë në Inter Miami, së cilit iu bashkua pasi e mbylli eksperiencën evropiane.
Ylli argjentinas iu bashkua ekipit amerikan në verën e vitit të kaluar për t’u larguar nga Paris Saint-Germaini, ku kishte shkuar si lojtar i lirë nga Barcelona.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë ka kontratë me klubin nga liga MLS deri në fund të vitit 2025, shkruan “Gazeta Express”.
Mirëpo, klubi nga Florida po punon për ta mbajtur më gjatë kampionin e botës në vendin bregdetar.
Sipas mediumit “Tyc Sports”, ideja e David Beckhamit me bashkëpronarë është që t’ia propozojnë Messit vazhdimin e kontratës për një vit, pra deri në vitin 2026.
Messi s’ka vendosur ende nëse do ta vazhdojë eksperiencën amerikane, ndërsa në mendjen e tij është mbi të gjitha pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026.
E duke e pasur parasysh që kjo garë do të mbahet pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me Kanada e Meksikë, për Messin do të ishte ideale që të vazhdojë të luajë në Amerikë për të qenë afër dhe i ambientuar me vendin kur të nisë Botërori.
Prej shumëkujt, Messi konsiderohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.