Gaz në këmbim të paqes. Ky është plani që disa zyrtarë evropianë po diskutojnë mes tyre si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ky fakt është bërë i ditur nga prestigjiozja britanike Financial Times, duke cituar burime të afërta me bisedimet.
Tre zyrtarë të informuar mbi bisedimet thanë se ideja u mbështet nga disa përfaqësues të Gjermanisë dhe Hungarisë, me mbështetjen e kryeqyteteve të tjera që e shohin atë si një mënyrë për të ulur kostot e energjisë në Evropë, shkruan A2 CNN.
“Disa shtete të mëdha anëtare po bëjnë presion mbi çmimet e energjisë dhe kjo është padyshim një zgjidhje për t’i ulur ato”, tha një zyrtar për Financial Times. Propozimi i thjeshtë për të rifilluar shitjet e gazit nga Rusia ka zemëruar zyrtarët në Bruksel dhe diplomatët nga disa vende të Evropës Lindore, shumë prej të cilëve kanë punuar për të reduktuar varësinë e BE-së nga energjia ruse gjatë tre viteve të fundit. “Është çmenduri. Sa budallenj duhet të jemi që ta shqyrtojmë këtë opsion, i tha Financial Times një eurodeputet?”
Sakaq, luftimet vijojnë në Ukrainën lindore. Një dron sulmues rus goditi një ndërtesë banimi në Sumy, gjatë natës, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur nëntë të tjerë, përfshirë një fëmijë. Këtë e bëri të ditur administrata ushtarake rajonale Sumy në Telegram, cituar nga Ukrinform, duke shpjeguar se operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se trupat e saj kishin marrë kontrollin e fshatit Novoielyzavetivka në rajonin lindor të Donetskut të Ukrainës, pranë qendrës logjistike të Pokrovsk, objektivi i fundit i avancimit të tyre të qëndrueshëm drejt perëndimit. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase nuk e përmendi fshatin në raportin e mbrëmjes, ai raportoi aktivitet “intensiv” rus në zonë. Blogu popullor ushtarak ukrainas DeepState, i cili regjistron pozicionet ushtarake bazuar në materiale me burim të hapur, tregoi se Novoielyzavetivka është nën pushtimin rus. Pokrovsk është shtëpia e minierës së vetme të qymyrit në Ukrainë që prodhon qymyr koks për industrinë e çelikut, e mbyllur ndërsa trupat ruse i afrohen qytetit dhe konsiderohet si një objektiv kryesor për Moskën.