Emiratet e Bashkuara Arabe po diskutojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin mundësinë që të përfshihen në një administratë të përkohshme që do të qeveriste Gazën për një periudhë të ndërmjetme.
Njoftimet për planet ndërkombëtare për Gazën e pasluftës vijnë ndërkohë që Izraeli dhe Hamasi kanë përafruar qëndrimet e tyre për një plan armëpushimi nën trysninë e Presidentit Joe Biden dhe Presidentit të zgjedhur Donald Trump, që armëpushimi të arrihet para ceremonisë së inaugurimit më 20 janar.
Bisedimet në prapaskenë për qeverisjen e Gazës po përfshijnë mundësinë që Emiratet e Bashkuara Arabe të jenë pjesë e një administrate të përkohshme që do të mbikëqyrte qeverisjen, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës në periudhën pas tërheqjes së ushtrisë izraelite dhe deri në momentin kur një Autoritet i reformuar Palestinez të merte përsipër qeverisjen e këtij territori.
Dhjetëra diplomatë dhe zyrtarë perëndimorë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se në bisedimet për të ardhmen e Gazës po shqyrtohet mundësia që Emiratet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara, bashkë me shtete të tjera, të jenë pjesë e kësaj administrate të përkohshme në Gazë, por ata theksuan se diskutimeve aktuale u mungojnë detajet dhe se ato ende nuk përbëjnë një plan të qëndrueshëm.
Sipas zyrtarëve pranë këtyre bisedimeve, Emiratet e Bashkuara po kërkojnë që Autoriteti Palestinez të qeverisë në Gazë, në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, si pjesë e një shteti të pavarur palestinez, një mundësi që Izraeli e ka kundërshtuar edhe publikisht. Planet e tilla po shqyrtojnë sugjerimet e zyrtarëve të Emirateve për të përdorur kontraktues ushtarakë privat si pjesë e një force paqeruajtëse në Gazën e pasluftës, propozim për të cilin diplomatët thonë se do të nxiste shqetësime për shtetet perëndimore.
Bisedimet mbi planet për Gazën e pasluftës vijnë mes njoftimeve për një përafrim qëndrimesh ndërmjet Izraelit dhe Hamasit mbi një marrëveshje armëpushimi në Gazë.
Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Izraelit tha të martën se Izraeli po bën “çmos” për arritjen e marrëveshjes që do të siguronte lirimin e pengjeve, por fajësoi Hamasin si pengesë për arritjen e saj.
“Hamasi është e vetmja arsye që pengjet ende po mbahen në kushte të tmerrshme. Hamasi është e vetmja pengesë për lirimin e fëmijëve, foshnjeve, burrave dhe grave që po mbahen peng prej 450 ditësh. Mënyra e vetme për ta kapërcyer këtë pengesë dhe arritur një marrëveshje është t’i bëhet trysni Hamasit”, deklaroi drejtori i Ministrisë, Eden Bar Tal.
Hamasi këmbëngul në kërkesën e tij që Izraeli t’i jap fund plotësisht sulmit në Gazë dhe të tërheqë të gjitha forcat nga ky territor në këmbim të pengjeve, kërkesë kjo e papranueshme për Izraelin që synon shkatërrimin e plotë të grupit militant.
Raundi i fundi i negociatave ndërmjet Izraelit dhe Hamasit është përqendruar në emrat e pengjeve që pritet të lirohen në fazën e parë të armëpushimit, sipas zyrtarëve izraelitë, egjiptianë dhe atyre të Hamasit.
Izraeli gjithashtu kërkon garanci që pengjet janë ende gjallë, ndërkohë që Hamasi thotë se pas luftimeve të ashpra në muajt e fundit nuk ka informacion të saktë për fatin e tyre.
Autoritetet izraelite besojnë se nga rreth100 pengje që mbahen ende nga Hamasi në Gazë të paktën një e treta e tyre mendohet të kenë vdekur. Lufta filloi më 7 tetor të vitit të kaluar kur Hamasi sulmoi Izraelin duke marrë rreth 250 pengje. Që nga fillimi i luftës 45,800 palestinezë besohet se janë vrarë në Gazë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.
Ndërkohë, ushtria izraelite ndërmori një valë të re operacionesh në Bregun Perëndimor të martën, gjatë të cilave u vranë të paktën tre palestinezë dhe u arrestuan 20 militantë të dyshuar, një ditë pas sulmit ndaj një autobusi me izraelitë në këtë rajon, gjatë të cilit u vranë dy gra të moshuara izraelite./VOA/