Gazetarët e Kosovës kanë kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, që t’i kërkojë falje kolegut të tyre Vehbi Kajtazi, për kërcënimin dhe fyerjet që ia ka bërë të dielën.
Kryetari i Asocionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ka dënuar presionin që sipas tij sa po vjen e po rritet mbi gazetarët. Shabani ka thënë se rritja e sulmeve ndaj gazetarëve po ndodh edhe nga zyrtarët e lartë qeveritarë.
“Mos efikasiteti i punës së gjykatave ka bërë që të na sulmojnë nëpër zyra. 27 raste në vitin e kaluar kanë qenë. Kemi mbështetje edhe nga federata të tjera evropiane. Ne presim nga kryeministri që të kërkojë falje. Kemi bërë thirrje që të flas, të mos tutet”, ka thënë ai.
Gazetari Vehbi Kajtazi, ka thënë se nëse do të ketë hetime të pavarura, kërcënimi do të vërtetohet me anë të nxjerrjes së incizimeve.
“Unë pres nga shteti të veprojë njëjtë qysh ka vepruar në rastin e djalit të kryeministrit. Nëse të gjithë jemi qytetarë të barabartë, pres nga drejtësia ta kryej punën e vet dhe kryeministri të dalë para drejtësisë”, ka thënë Kajtazi.
Protesta u organizua pas kërcënimit që kryeministri i vendit, Isa Mustafa i bëri nëpërmjet telefonit, kryeredaktorit të gazetës online, Insajderi, Vehbi Kajtazi, i cili kishte publikuar një hulumtim për migrimin ilegal të vëllait të kryeministrit në Gjermani./Insajderi.com