Megjithëse shteti i Kosovës ishte i gatshëm t’i dalë në mbështetje Ukrainës në këto ditë lufte, Ukraina ende nuk e njeh Kosovën si shtet. Por ish-gazetari Sergej Sumlenny, qe ka prejardhje prej Rusisë që ka shkruar dhe ka qenë disa herë në Kosove, bënë thirrje të njihet pavarësia e Kosovës. “Mendoj se do të ishte e mençur që Ukraina të forconte lidhjet e saj me Kosovën. Njohja e saj do t’i tërbonte mediat ruse”, tha Sumlenny për Gazetën Insajderi.
Sergej Sumlenny, ish-gazetari me prejardhje ruse ditë më parë i bëri thirrje qeverisë së Ukrainës që ta njeh Kosovën si shtet pasi sipas tij, si Kosova ashtu edhe Ukraina i përkasin Evropës së lirë.
“Të dy vendet kemi luftuar kundër imperializmit të dominuar nga Rusia. Të dy i përkasin Evropës së lirë, reale. Ju vlerësoni lirinë. Njihni Kosovën. Ata luftojnë të njëjtën betejë në anën tuaj”, shkroi Sumlenny në Twitter.
Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me ish-gazetarin Sumlenny dhe i njëjti tha se Ukraina dhe Kosova kanë pothuajse të njëjtën histori.
Kosova u pushtua nga Serbia kurse Ukraina nga Rusia. Pra, sipas tij të dy shtetet ishin munduar të fshinin identitetet e Kosovës e Ukrainës.
“Është e njëjta histori me Rusinë dhe Ukrainën. Rusët u përpoqën të fshinin identitetin ukrainas, të vrisnin ukrainasit që nuk ishin gati të “treten” dhe argumentuan se Ukraina është “vendlindja thelbësore” e Rusisë”, tha Sumleeny për Gazetën Insajderi.
Ai pohoi se Kosova dhe Ukraina janë kombe që kanë vuajtur nga të njejtat trauma, kur flitet për rolin e Rusisë në luftën e Millosheviçit kundër Kosovës.
“Kosova dhe Ukraina janë praktikisht kombe që kanë vuajtur nga të njëjtat trauma të shkaktuara nga të njëjtët agresorë, kur mendojmë për rolin e Rusisë në luftën e Millosheviçit kundër Kosovës. Mendoj se do të ishte e mençur që Ukraina të forconte lidhjet e saj me Kosovën”, tha ai për Insajderin.
Njohja e Kosovës nga Ukraina sipas ish-gazetarit do t’i tërbonte mediat ruse, madje sipas tij do të kërkohet që më pas Ukraina ta njoh pavarësinë e krahinës së Donbasin.
Ai sugjeron që të injorohen mediat ruse pasi në çdo moment sipas tij ato do të propagandojnë se ka ngjashmëri mes Donbasit dhe Kosovës, ndonëse janë të bindur se nuk ka.
“Do të ketë me siguri argumente se pas kësaj njohjeje Ukraina duhet të njohë pavarësinë e Donbasit, por Rusia e sjell këtë argument edhe tani. Është thjesht propagandë tipike ruse – ata e dinë se nuk ka ngjashmëri mes Donbasit dhe Kosovës, pasi Kosova ishte në shënjestër të luftës gjenocidale serbe, dhe në Donbas nuk kishte luftë para se të vinte Rusia. Por mediat ruse do të gënjejnë në çdo rast, është e mençur thjesht t’i injorosh ato”, tha Sumleeny për Insajderin.
Ish-gazetari tregoi gjithashtu edhe për njohuritë dhe përvojat që ai ka në shtetin e Kosovës. Thotë se ka raportuar për Kosovën dhe se gjithashtu ka qenë pjesë e konferencave rreth propagandës ruse dhe taktikave të tyre.
“Si gazetar, kam raportuar një herë nga Kosova dhe kam qenë shumë herë në Kosovë nëpër konferenca, duke paraqitur analiza të propagandës ruse dhe taktikave të subversionit”, tha ish-gazetari për Insajderin.
Përpos anës profesionale ai ka edhe miq nga Kosova dhe të tjerë kosovarë që jetojnë në Berlin.
“Unë qëndroj në kontakt me miqtë e mi nga Kosova dhe kam disa miq kosovarë në Berlin. Kuptohemi shumë mirë, edhe sepse të dy e dimë se si propaganda ruse dhe serbe përpiqet të njollosë Kosovën”, deklaroi ai për Insajderin.
Ish-gazetari i cili aktualisht jeton dhe vepron në Gjermani tha se është i përfshirë nga turpi dhe nervozizmi pasi prejardhja e tij është nga Rusia, dhe si i tillë ai tha se e di mirë sa vendimtare është qeveria ruse që t’a shkatërrojë Ukrainën.
“Si një ish-rus, e di shumë mirë se sa në shkallë të gjerë narrativa anti-ukrainase është përhapur në vend dhe sa vendimtare është qeveria ruse në qëllimin e saj për të shkatërruar Ukrainën. Kjo më bën të tërbuar, por edhe të turpëruar, pasi jam socializuar në këtë ideologji dhe e kam ndarë deri në një moshë të caktuar, ndërsa kam jetuar në Rusi”, pohoi Sumlenny për Insajderin.
Ai thotë se synimi strategjik i Putinit është të dominojë globalisht dhe të ketë fuqi të pakufizuar, pasi presidenti rus sipas gazetarit nuk beson në kompromis dhe çdo person i cili synon të bëjë kompromis me të në syte e tij duket i dobët dhe duhet të shkatërrohet.
“Putin ka synimin e tij strategjik: dominimin global dhe fuqinë e pakufizuar. Ai nuk beson në asnjë kompromis, vetëm në lojërat me shumë zero. Për më tepër: çdo person që është i gatshëm për një kompromis është një person i dobët në sytë e tij dhe e meriton të shkatërrohet”, tha gazetari për Insajderin.
Duke jetuar për rreth 6 vite në Ukrainë Sumlenny kishte krijuar shoqëri atje dhe gjithashtu ishte familjarizuar me qytetet që Rusia tash po tenton t’i shkatërrojë.
“Unë përjetoj një gamë të gjerë ndjenjash të tmerrshme, por kryesisht si një person që jetoi për 6 vjet në Ukrainë, kam shumë miq dhe kolegë në të gjithë Ukrainën dhe kam qenë në shumicën e qyteteve që aktualisht po rrafshohen nga Rusia”, tha ish-gazetari për Insajderin
“Kam pasur kontakte shumë të mira me njerëzit në Mariupol, Kharkiv, Sumy. Unë udhëtoja rregullisht në Chernihiv. Butcha ishte një destinacion për xhirot e mia të përditshme me biçikletë. Zemra më rrjedh gjak sa herë që shoh lajme nga Ukraina”, përfundoi ai për Insajderin./Gazeta Insajderi