
Nep Qorraj, gazetare në Radio Televizionin e Kosovës, ka reaguar pasi nuk kanë marrë ende pagat për muajin korrik. Qorraj ka treguar se po përballet me një sëmundje të rëndë dhe është nën trajtim me kimioterapi dhe se për gjashtë muaj nuk e ka ndërprerë asnjëherë punën.
“Kryeministër, për 6 muaj trajtim me kimioterapi, punën nuk e kam ndërprerë për asnjë moment, pos në ditën e kimios. Ju nuk keni arritur të bëni asnjë nga punët me të cilat obligoheni, pasi keni fituar votën e qytetarëve”, shkroi ai.
Ajo ka kritikuar Kryeministrin Kurti duke theksuar se ndërsa ajo dhe kolegët e saj punojnë, madje pa u paguar, qeveria nuk po kryen asnjë punë.
“Nëse raporti mujor i punës më del me +300 lajme të prodhura në gjendjen që jam, ndërsa i juaji ka ngelur në vend numero, atëherë si ka mundësi që ju vazhdoni të paguheni për mos punë, ndërsa unë e kolegët e mi NUK paguhemi, edhepse punojmë?!”, shkruan Qorraj.
Kujtojmë se një grup punëtorësh të RTK-së, të cilët nuk janë të organizuar në asnjë sindikatë, kanë paralajmëruar një protestë paqësore për të hënën, më 18 gusht 2025, për shkak të vonesës së pagave për muajin korrik.