Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kastriot Berisha ka hedhur poshtë kallëzimin e penal të gazetares, Blerta Dalloshi, e cila në dhjetor të vitit të kaluar u sulmua fizikisht nga truporja e kryeministrit Kurti, Bardhyl Rrustemi.
Prokurori Berisha përkundër videos publike, që dëshmon për sulmin ndaj gazetares ka vlerësuar se rasti nuk përbën vepër penale.
Ndaj këtij vendimi të prokurorit, ka reaguar Juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila ka thënë se aktvendimi për hudhjen e kallëzimit penale është në kundërshtim me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Këshillit të Europës dhe është qartazi anues kah i dyshuari dhe jo nga mbrojtje e viktimës dhe drejtësia.
Ajo ka përmendur disa pika, përkatësisht arsyetime të prokurorit Berisha për të cilat thotë se janë të pabazuara dhe që sipas saj dëshmojnë mungesë të njohurive të rolit të gazetarëve në shoqëri.
Gazetarja, Blerta Dalloshi u sulmua në dhjetor të vitit të kaluar nga truproja e Kurtit, në prezencë të tij.
Në videon e postuar nga vetë gazetarja shihet se ai e ka shtyer atë duke ia kapur krahun me forcë, dhe sipas saj, i njëjti ka ndalur edhe kamerën me të cilën po xhironin.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të prokurorit, për të kuptuar më saktë pse ka vendosur që ta hedh poshtë kallëzim penal.
Por deri në këto momente nuk ka pranuar përgjigje.