
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se deri më tash, përveç Sheshelit, të gjithë politikanët tjerë serbë që kanë vizituar Kosovën, kanë bërë kërkesa për një gjë të tillë, dhe ato u janë miratuar.
Sipas tyre, “në këtë mënyrë po respektohet dyshtetësia e qytetarëve serbë të Kosovës dhe e drejta e tyre që të marrin pjesë në proceset zgjedhore të Serbisë”.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës,Bajram Gecaj, thotë se megjithatë, vizitat e tilla, janë keqpërdorur nga politikanët serbë.
“Është e vërtetë që në këtë fushatë, ata i kanë përdorë apo keqpërdorë për qëllime politike. Megjithatë, Republika e Kosovës e konsideron të rëndësishme që ne të vazhdojmë komunikimin, si me serbët e veriut ashtu edhe me Republikën e Serbisë, në mënyrë që situata në Kosovë, në një të ardhme të afërt, të normalizohet plotësisht”, tha Gecaj për Radio Evropa e Lirë.
Lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojsllav Sheshel, kishte paralajmëruar një vizitë sot në Kosovë, por që nuk e bëri për shkak, siç thonë raportimet nga Beogradi, se nuk iu ishte lëshuar një pasaportë valide. /Insajderi.com