Bajram Gecaj, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka reaguar pas sulmit ndaj veturës së partisë së tij duke thënë se këto sulme të orkestruara janë duke e forcuar LDK-në.
“Për të gjithë këta sulmues dhe rrënues, të ri e të vjetër, të jashtëm e të brendshëm, të dukshëm e të padukshëm, të cilët janë vërsulur kundër LDK-së, kam një lajm të keq, shumë të keq për ta – LDK po forcohet”, shkruan Gecaj në Facebook.
Ai tha se LDK-ja është parti që ka ngritur dhe ka ndërtuar vazhdimisht vlera dhe vepra në Kosovë, por kundër saj janë vërsulur sot ata që duan ta rrënojnë dhe nënçmojnë atë.
Sipas tij, thotë se sulmet ndaj LDK-së janë sulme inatesh të atyre që nuk mund të vijnë në pushtet.
“Atyre zhgënjimi nga mos marrja e një cope pushtet ua ka mjegulluar vetëdijen, atyre inati ua ka humbur arsyen, mungesa e guximit ua ka venitur mbamendjen. E pandershme. Ju thërras të gjithëve në emër të vlerave të LDK-së – Bollni më. Nëse nuk mund të na ndihmoni në misionin tonë, mos na pengoni, mos na futni thikë në shpinë”, shkruan Gecaj./Insajderi