“Retorikën por edhe konceptet e kasapit të Ballkanit, duket se strukturat e tanishme të shtetit të Serbisë e kanë vështirë t’i harrojnë.”
Këtë vlerësim e ka dhënë zv/ministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, si reagim ndaj ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Daçiq ka deklaruar se ka informacione se shqiptarët në diasporë po planifikojnë sulme në ndonjë nga shërbimet diplomatike serbe në Evropë.
Por Gecaj ka thënë se, sipas kësaj qasjeje, shqiptarët janë terroristë të cilët duhet nënshtruar, dëbuar ose vrarë.
“Se është kështu, këtë po e vërtetojnë këtyre ditëve shumë nga zyrtarët e Beogradit, duke përfshirë edhe trashëgimtarin e denjë të kësaj mendësie, Ministrin e tyre të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq. Dëshira, sa e shpluar aq e papërmbajtur, t’i shohin shqiptarët të tillë, duket se ua mjegullon mendjen këtyre në vazhdimësi. Këtë herë Daçiq paska parashikuar, në stilin që do ta xhelozonte edhe Nostradamusi, se shqiptarët kosovarë po përgatitkan sulm në ndonjërin nga misionet e tyre diplomatike apo konsullore”, ka shkruar Gecaj në llogarinë e tij në Facebook.
Gecaj ka shtuar se nuk do të ishte fare befasuese nëse shteti i Serbisë do të organizonte ndonjë sulm të tillë vetë, për t’i fajësuar më pas shqiptarët kosovarë.
“Zanat i vjetër ky i shtetit serb. Se Serbia ka përvojë të tillë, tanimë e kanë pranuar edhe vetë zyrtarët e këtij shteti, kur kanë deklaruar se sulmi në kafeterinë “Panda” të qytetit të Pejës, gjatë kohës së luftës, ishte organizuar nga vetë strukturat e tyre shtetërore kriminale. Për më shumë, që të mos mbes mbrapa në krejt këtë qasje të ringjallur të shtetit serb, Millorad Dodik haptas shpalosi ambicien për bashkimin e veriut të Kosovës shtetit serb. Atëherë pyetja lind kush në Ballkan po përgatitet për terrorizëm?”, ka përfunduar Gecaj./Insajderi.com