Pas deklarimit të tij të djeshëm, Fadil Gashi është marrë në pyetje nga Mbrojtja e Hashim Thaçit.
Avokati Luka Misetiq e ka pyetur Gecin nëse ka deklaruar para një jave tek prokurori që nuk e ka konsideruar veten se ka qenë pjesë e UÇK’së.
Geci ka refuzuar të përgjigjet me po ose jo në shumicën e pyetjeve, e avokati e ka akuzuar se po u bën bisht përgjigjeve.
“Kanë qenë dy organizime, një ka qenë për shtet, që jam unë UÇK dhe një për pushtet, që është ai që e mbron ti. Kjo ka qenë e vërteta”, ka deklaruar fillimisht Geci.
Këtë pyetje avokati ia ka përsëritur disa herë, e më vonë Geci tha se ka qenë pjesë e UÇK’së, por jo e LPK’së.
“E LPK’së, jo UÇK’së. UÇK’ja është e shenjtë e shqiptarisë, pjesë e asaj që ka kontribu më së shumti jam unë, me familje e me shqiptarë të ndërshëm gjithkah…Unë kam qenë pjesë e UÇK’së, por jo e LPK’së”, ka deklaruar Geci.
Ai ka thënë se njësiti i tij i ka raportuar direkt Ahmet Krasniqit. Komunikimin tha se e ka zhvilluar përmes një telefoni.
“E kemi pas Ministrin e Mbrojtjes, Ahmet Krasniqin, i zgjedhur nga Presidenti Ibrahim Rugova. Ai ka qenë Komanda kryesore e jonë. Komandant ka qenë Ibrahim Rugova. Zyrtarisht me rregulla me ligj, kërkund tjetër nuk ka në botë jashtë këtyre rregullave.
Avokati e pyeti pastaj nëse nuk e ka konsideruar veten që ka qenë në komandën e përgjithshme të UÇK’së, e Geci iu përgjigj “Unë nuk kam qenë në Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të LPK’së që e ka quajtë veten UÇK.”
“Me këtë doni të thoni, e keni fjalën për Bislim Zyrapin, Rexhep Selimin , Hashimt hacin, Jakup Krasniqin, doni të thoni se nuk keni qenë në komandën e askujt këtyre që përmenda”, ishte pyetja tjetër e avokatit.
Përgjigja e Gecit nuk dëgjohet mirë, vetëm në fund thotë kurrë.
“(s’kuptohet)…në komandën e tyre. Kurrë”.
Avokati sërish përmendi një deklaratë të dhënë nga Geci javën e kaluar.
“A i the javën që shkoi Prokurorisë që një person që nuk e dinte se ishit me Ministrinë e Mbrojtjes do të mendonte se ishit ushtarë të UÇK-së”, pyeti Mishetiq, duke kërkuar përgjigje me ‘po ose ‘jo’.
“Unë kam thënë se deri në atë kohë kur ai ka thënë, ka qenë marsi, prilli, maji, qershori, komplet kemi qenë unik, komplet kemi qenë unik, në një Ushtri Çlirimtare të Kosovës, komplet, pa përçarje derisa janë ardh këta prej atjehit e na kanë mësu qysh me luftu prej jashti, prej Zvicre. E na ishim në luftë këtu, qysh me na thanë neve që ishim këtu e ata ishin atje. Qysh erdhën këta na mësun, na e morën kokën e na mësun qysh me luftu”, u përgjigj Geci.
Më pas, Mishetiq vazhdoi duke i thënë se “Dëshmitar, besoj që po e kupton pyetjen që po të bëj dhe po i shmangesh, po i bën bisht përgjigjes”. Avokati vazhdoi duke i thënë se po e përsëritë për herë të tretë pyetjen e tij.
“Edhe gjyqtari, edhe ju, të gjithë po më kuptoni. Ishim unik, derisa janë ardh na kanë përça këta prej Zvicre”, ishte përgjigja e Gecit.