Gënjeshtra e Galerisë: Paraqet dy pronarë të ndryshëm për lopët - Insajderi
×
Kulturë

Gënjeshtra e Galerisë: Paraqet dy pronarë të ndryshëm për lopët

Insajderi
24 July 2018 - 14:01
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Galeria Kombëtare e Kosovës i ka paraqitur dy persona të ndryshëm si pronarë të lopëve që janë mbyllur prej gati një muajsh në një ahur të improvizuar në oborrin e galerisë, me qëllim realizimin e një vepre artistike të artistit kosovar Sislej Xhafa.

Ekspozita e Xhafës ngjalli reagimin e aktivistëve për të drejtat e kafshëve të cilët e konsideruan torturë ndaj lopëve mbajtjen e tyre të ngujuara për një muaj në ahurin e improvizuar.

E për të mësuar nëse për lopët ka kujdes të mjaftueshëm dhe pse ato po detyrohen të qëndrojnë të ngujuara në oborrin e galerisë, Insajderi kishte shfaqur interesim për të intervistuar pronarin e lopëve para pesë ditëve. Galeria e kishte prezantuar një person me emrin Sylejman si pronar të vërtetë të lopëve.

Ai kishte thënë se lopët nuk i ka nxjerrë asnjëherë jashtë objektit ku është hapur ekspozita.

Këtu mund ta gjeni deklaratën e Sylejmanit:

https://www.facebook.com/GOInsajderi/videos/2566712716887876/

Por pesë ditë më vonë, Galeria Kombëtare e Kosovës organizoi një konferencë për media për të folur lidhur protestës së paralajmëruar nga aktivistët e të drejtave të kafshëve. Në këtë konferencë, drejtoresha e galerisë Arta Agani prezantoi një tjetër “pronar” të lopëve. Ishte pronari i dytë i lopëve që ajo prezantoi brenda kësaj jave.

“Pronari” që doli në konferencën për media, i prezantuar si Arben Avdiu, deklaroi se për lopët ka mbikëqyrje gjatë 24 orëve, ndryshe nga Sylejmani i cili pesë ditë më parë deklaroi se për lopët kujdesej gjatë ditës deri në mbrëmje, por jo edhe pas mesnatës.

“Kushtet janë tepër të mira. Tepër!”, u shpreh Avdiu. “Edhe kujdesin e kanë 24 orë”.

Grupi i aktivistëve të mbledhur nën organizatën “Të bashkuar për kafshët” do të mbajë protestë kundër kësaj vepre të martën në ora 16:30 në oborrin e Galerisë Kombëtare. Ata e konsiderojnë torturuese ndaj lopëve ekspozitën e artistit Xhafa, raporton Insajderi.

Insajderi ka raportuar para pesë ditësh për ekspozitën e parë të Sislej Xhafës në Kosovë që ngjalli reagime të ashpra për shkak të mbylljes së tetë lopëve në ahurin e improvizuar tek Galeria Kombëtare e Kosovës.

8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti

Javën e kaluar, zyrtarë të Galerisë së Arteve nuk deshën të prononcoheshin për këtë çështje, teksa vetë artisti u shpreh i nervozuar me pyetjet që Insajderi ia dërgoi. I quajti “llafe të kafeve” kritikat e aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve.

Krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro. Sipas Ministrisë së Kulturës, buxheti nga Galeria Kombëtare e Kosovës që funksionon brenda MKRS-së për këtë ekspozitë ka qenë 28 mijë e 583 euro.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark