Arsyetimet e KEDS-it se po e ndërprenë furnizimin e rrymë për shkak të punimeve në rrjet, dolën të jenë të pavërteta.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ka gjetur të dhëna se në disa raste KEDS-i ka ndalur energjinë elektrike me arsyetimin se po kryente mirëmbajtjet e planifikuara edhe pse një gjë e tillë nuk është bërë.
“Kanë qenë disa raste kur nuk janë përputhur të dhënat dhe kohëzgjatja e ndërprerjes që është deklaruar por edhe në një vend nuk kanë gjetur ekipin e KEDS-it për të kryer operimet që janë deklaruar”, ka thënë zyrtarja e ZRRE-së, për Klan Kosovën.
Një hetim i tillë ishte kërkuar nga Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, në adresë të së cilit kanë arritur shumë ankesa të qytetarëve për ndërprerje të energjisë elektrike.
“Janë pak a shumë jo të zakonshme ti quaj këto lajmërime se brenda një dite do të intervenohet në 68 lokacione në tërë Kosovën dhe ne kemi kërkuar që të vërtetohen se çfarë janë këto intervenime dhe cila natyra e tyre”, ka thënë deputeti Muhamet Mustafa.
Bordi i ZRRE-së ka vendosur që përkohësisht të ndërmarra masa për t’i ndaluar ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike për qëllim të mirëmbajtjeve të planifikuara nga operatori i rrjetit të shpërndarjes (KEDS) dhe ka vendosur të thelloj hetimin në lidhje me të gjeturat fillestare.
“Kemi kërkuar që vetëm në raste të jashtëzakonshme ku rrezikohet furnizimi me energji mund ta aplikojnë mirëmbajtjen”, ka thënë zyrtarja e ZRRE-së.
KEDS ka bërë me dije që do të respektohet vendimi i ZRRE-së por nuk kanë komentuar të gjeturat e këtij institucioni./Insajderi.com