Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka quajtur normale siç iu referua ajo “debateve” me SHBA’në lidhur me tema të caktuara. Ajo ka thënë se është shumë normale të ndodh kjo mes partnerësh.
Gërvalla këto deklarata i ka bërë në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke i “relativizuar” qortimet që Qeveria Kurti ka marrë nga zyrtarë të lartë amerikanë sikurse deklarata e O’Brien dhe ajo e Escobar, shkruan Gazeta Insajderi.
“Ne, e para, nuk kemi tensionim të raporteve prandaj duhet të ishim shumë të kujdesshëm në terminologjinë që përdorim. Kemi disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik, mirëpo kjo është plotësisht normale në marrëdhëniet mes dy partnerësh të ngushtë. Konsideroj se kjo është shumë normale, jo vetëm mes partnerësh, mes dy shtetesh, por është normale edhe në një familje, e cila, përsëri po e përsëris, kemi të njëjtat synime të dyja, edhe SHBA edhe Republika e Kosovës, në të gjitha temat që kanë të bëjnë me rajonin tonë edhe me përparimin e vendeve tona”, ka deklaruar ajo.
“Që kemi debat lidhur me tema të caktuara është krejtësisht normale. Mirëpo, vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk ka qeveri të Kosovës, nuk ka institucione të Kosovës, as këto të tanishmet, as ato që mund të vijnë në të ardhmen të cilat do të mund ta vinin në pikëpyetje një relacion të tillë”, ka thënë tutje Gërvalla.
Instancat më të larta të diplomacisë amerikane adresuan kritikat e tyre për komunikim me Qeverinë Kurti. Ishte zyrtari i lartë amerikan, James O’Brien, që ngriti shqetësim për mos-koordinim të ekzekutivit me Kurtin në krye me përfaqësuesit amerikanë. O’Brien në shkurt të këtij viti thoshte se Kurti po merr vendime “në mes të natës” kur e kritikonte vendimin për rregulloren e re të BQK’së.
“Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”, deklaronte O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Për t’i jehuar acarimet SHBA-Qeveria Kurti, vetëm një ditë më pas ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte ftuar konferencë të jashtëzakonshme. Ai në atë konferencë potenconte dëmtimin e raporteve, pas tentimit të ministrave të Kurtit për t’i përshkruar si të mira.
“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata”, deklaronte Hoveiner.
Kokëfortësisë së Kurtit vule i dha Escobar. Ai në një konferencë për shtyp tha se SHBA po ka probleme me kryeministrin Kurti. Madje, ai thoshte se s’ishte vetëm SHBA’ja që e kishte një problem të tillë.
“Kemi problem në komunikim me qeverinë e kryeministrit Kurti. Dhe nuk është që vetëm ne kemi këtë problem, Kosova ka probleme komunikimi edhe me BE-në, NATO-n dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Do të donim që partneriteti të kthehej siç ka qenë më parë”, deklaronte emisari amerikan. /Insajderi.org/