Kryetarja e LDK’së në Gjermani, Donika Gërvalla, e cila as sot nuk u lejua të hyjë në Kuvendin e Punës së partisë së Isa Mustafës, e ka quajtur këtë të fundit frikacak të paparë.
Ka thënë se Mustafa, që është edhe kryeministër i vendit, duhet të pushojë të tregojë të pavërteta.
“Pikërisht Isa Mustafa, “i zgjedhur” pa i lëvizur qerpiku, para gjithë opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar duke shkelur normat statutare të LDK-së në mënyrë krejtësisht jolegale me aklamacion, është personi i fundit, i cili do të duhej të gjykonte apo vlerësonte procese zgjedhore”.
Shkrimi i plotë i Gërvallës në Facebook:
Isa Mustafa, ky frikacak i paparë
Sa për informacion:
Natyrisht që unë jam Kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani. E zgjedhur në mënyrë korrekte dhe me votë të fshehtë. Z. Mustafa duhet të pushojë së treguari të pavërteta. Ai e di që zgjedhjet në Gjermani kanë qenë korrekte dhe që një gjë e tillë është e dokumentuar. Përsëritja e të pavërtetave para syve të një populli të tërë nuk i bën nder as Isa Mustafës dhe as njerëzve rreth tij.
Nuk jam e gatshme të pranoj edhe më gjatë përhapjen e të pavërtetave në adresë timen dhe të veprimtarëve të Degës në Gjermani. Jo vetëm unë jam ngopur me këto lojëra të shëmtuara intrigash dhe gënjeshtrash. Z. Mustafa, vihuni në kërkim të nderit tuaj, ose së paku pushoni së treguari të pavërteta aty ku një gjë e tillë është krejtësisht e panevojshme.
Këta njerëz i kanë shpallur luftë së vërtetës. Nëse nuk iu dalim ballë për ballë në këtë luftë, atëherë nuk do të na mbetet tjetër, veç se të jetojmë edhe ne në gënjeshtër.
Pikërisht Isa Mustafa, “i zgjedhur” pa i lëvizur qerpiku, para gjithë opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar duke shkelur normat statutare të LDK-së në mënyrë krejtësisht jolegale me aklamacion, është personi i fundit, i cili do të duhej të gjykonte apo vlerësonte procese zgjedhore.
Aq më tepër që Statuti i LDK-së e përcakton saktë se kush merret me verifikim e zgjedhjeve brenda LDK-së. Një gjë duhet të kuptojë Isa Mustafa, që kohët kur kryetari i partisë bënte çfarë t’i tekej, në Kosovë kanë vdekur së bashku me shtetin jugosllav.
Të gjithë e dimë se çfarë e shtyn Isa Mustafën: Frika. Nuk është vështirë ta shohësh frikën në sytë e këtij personi, i cili ndërkohë është kthyer në një pengesë serioze për progres dhe zhvillim në Kosovë dhe LDK. Forma e komunikimit publik (jo vetëm në Facebook) dhe marrjes së vendimeve, Isa Mustafën e ka kthyer si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës në një karikaturë.
Dëmi që i është shkaktuar Kosovës edhe deri tani është i madh. Si miqtë, ashtu edhe kundërshtarët e Kosovës e dinë mirë se çfarë po ndodh këtu. Politika e vendit duhet të bëhet nga gra dhe burra të këtij vendi, të cilët janë të guximshëm dhe të qëndrueshëm, dhe jo nga frikacakë, të cilët nuk kanë probleme serioze me të vërtetën.
Statuti i LDK-së është shumë i qartë: kush nuk zgjidhet me votë të fshehtë, nuk konsiderohet si i zgjedhur, sepse votimi është i pavlefshëm. Isa Mustafa në vitin 2015 nuk është zgjedhur me votë të fshehtë. Këtu nuk ka asnjë hapësirë interpretimi.
Ambasadat e vendeve mike të Kosovë, duke u nisur nga SHBA-të e deri tek Gjermania janë njoftuar rreth zhvillimeve në LDK nën drejtimin e Isa Mustafës drejt një partie autoritare dhe jodemokratike. Po ashtu janë informuar edhe rreth rreziqeve që fshehin zhvillimet e tilla.
Askush nuk do të na ndalë të vazhdojmë të themi të vërtetën. Funksionarë, të cilët gënjejnë qytetarët dhe kombin, jo se jo.
Hapat e mëtejmë për rivendosjen e drejtësisë sipas Statutit të LDK-së dhe ligjeve të vendit do të pasojnë gjatë ditëve të ardhshme.