Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, po hetohet pasi që nuk e ka deklaruar saktë pasurinë e saj në Agjencinë Kundër Korrupsion, duke fshehur dy biznese dhe pasurinë e burrit e fëmijëve.
Disa javë më parë, në media u raportua se Donika Gërvalla ka një biznes në Gjermani në të cilin mban postin e drejtoreshës ekzekutive dhe ajo drejton Fondacionin “Jusuf Gërvalla”.
Që të dyja këto pozita, kryediplomatja e Qeverisë së Kosovës nuk i ka raportuar fare në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Përveç kësaj, Gërvalla nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, anise kjo kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.
Ligji për Deklarimin e Pasurisë e obligon secilin zyrtar me funksione të larta publike të deklarojë secilën pozitë tjetër në institucione publike ose private.
Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë i pasurisë hyn te veprat e përcaktuara me Kodin Penal, përkatësisht nenin 430.2.
Lidhur me këtë, Demokracia.com ka pyetur në Agjencinë Kundër Korrupsion, të cilët kanë konfirmuar se Donika Gërvallës është duke iu bërë kontrolli i plotë i pasurisë.
“Ju njoftojmë se zyrtari i lartë për të cilën keni adresuar kërkesën në Agjencinë kundër Korrupsionit, është pjesë e kontrollit të plotë të pasurisë. AKK nuk mund të ofrojë më shumë informata”, kanë bërë të ditur nga AKK për Demokracia.com.
Ndryshe, në deklarimin e pasurisë që Gërvalla e ka bërë në vitin 2021 në Agjencinë Kundër Korrupsionit, i figurojnë vetëm dy funksionet si ministre dhe zëvendëskryeministre. Nga këto dy pozita, ajo fitoi një mijë e 222 euro në muaj.
Po ashtu, Gërvalla nga institucionet gjyqësore gjermane ka pranuar të hyra prej 27 mijë eurosh. Gërvalla në raportimin e pasurisë posedon tokë bujqësore dhe një shtëpi, vlera e të cilave është 120 mijë euro, si dhe një veturë personale në vlerë prej 10 mijë euro