×
  • Lajme
  • Lajme

    Gërvalla: RTK ka transmetuar seancën e kuvendit, akuzat për censurë janë të papjekura

    Insajderi
    16 October 2024 - 18:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i Televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, ka hedhur poshtë akuzat e deputetëve të opozitës se transmetuesi publik ka censuruar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

    Ai deklaroi për RTKlive se seanca është transmetuar e plotë në kanalin e tretë të RTK-së.

    “RTK nuk e ka censuruar Kuvendin, asnjë fjalim të vetëm. Seanca është transmetuar në kanalin e tretë, ndërsa në kanalin e parë ishte planifikuar transmetimi i aktivitetit për 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, i cili ka ndodhur sot dhe vazhdon edhe nesër,” tha Gërvalla.

    Ai theksoi se, mes folësve në këtë aktivitet, janë edhe të mbijetuarat e dhunës seksuale të kryer nga Serbia në Kosovë, si dhe figura të njohura nga politika. Gërvalla shtoi se akuzat e opozitës për censurë, sidomos në një moment kur fliste një e mbijetuar e dhunës seksuale, janë të papjekura dhe politike.

    Në seancën e sotme të Kuvendit u diskutua për borxhet e kompanive ambalazhuese të ujit dhe mesazhet e fundit lidhur me bisedat ndërmjet koordinatores së komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ndërprerë seancën e jashtëzakonshme pasi, sipas tyre, Radio Televizioni Publik i Kosovës (RTK) ndërpreu transmetimin e kësaj seance e cila ishte thirrur nga opozita për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Deputetët e opozitës shkuan që të protestojnë para objektit të RTK-së, si dhe të dërgonin transkriptet e fjalimeve të tyre, por, atyre nuk u është lejuar hyrja në objekt. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark