“Gjendje e jashtëzakonshme”, “epidemi”, akuza për prishje kamionësh- Çka po ndodh me mbeturinat në kryeqytet? - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    “Gjendje e jashtëzakonshme”, “epidemi”, akuza për prishje kamionësh- Çka po ndodh me mbeturinat në kryeqytet?

    Insajderi
    19 February 2025 - 16:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e shpalli si fillim “gjendje të jashtëzakonshme” situatën me mbeturina në kryeqytet. Më pas, e ndërroi duke e shpallur në “gjendje emergjente”. Krejt kjo si shkak i ngatërrimit në terminologji, meqë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është kompetencë e presidentit. Krejt këtë, Përparim Rama e bazonte në një raport të përpiluar nga disa zyrtarë komunalë. Këta të fundit pretendonin, pa u thirrur në ndonjë ekspertizë, se situata mund të kthehet në epidemike. Ditë më vonë filluan akuza e kundër-akuza mes Ramës, drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovcit e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi”.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Prishtinës që nga 3 shkurti e ka shpallur gjendjen emergjente të mbeturinave. Megjithëse, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, e kishte keqkategorizuar si “gjendje të jashtëzakonshme”, e ku më vonë bënë ndërhyrjen (ndonëse jo edhe në paragraf të parë) duke e ndryshuar në “gjendje emergjente”.

    Rama pos tjerash bënë të ditur se një ekip nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka inspektuar terrenin dhe se ka konstatuar se ka “rrezik të madh për përhapje të epidemisë”.

    Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme bazohet në rezultatet e arritura gjatë vitit 2024 pas marrjes së masave emergjente për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave. Një ndër hapat kryesorë ishte përfshirja e Operatorëve Ekonomikë në zonën qendër dhe furnizimi i lokacioneve me kontejnerë të rinj, çka ndikoi në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët”, tha ndër të tjera Rama.

    Ditëve të fundit, kemi pranuar ankesa të shumta nga qytetarët për mungesën e shërbimit me javë të tëra, veçanërisht në sistemin “derë më derë”. Një ekip i krijuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe ka konstatuar një situatë alarmante, me rrezik të madh përhapjeje epidemish”, shtoi tutje ai.

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë edhe raportin e këtyre tre zyrtarëve nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në komunen e Prishtinës, pa mbështetje në ndonjë ekspertizë, thuhet se rrjedhja e kamionëve mund të rrezikojë shëndetin publik.

    Ky nivel i shërbimit me vonesa në ofrimin e shërbimit me javë të tëra, rrjedhje të kamionëve, mund të shkaktoj rrezikim të shëndetit publik. Kjo formë e operimit, nuk 1 ka kursyer as institucionet me veprimtari të ndijshme siç janë Qendrat e Mjekësive Familjare, ku shërbimi i grumbullimit të mbeturinave është në gjendje kaosi”, thuhet ndër të tjera në raportin e siguruar nga Insajderi.

    Insajderi iu është drejtuar me pyetje Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për ta pyetur nëse iu është kërkuar të bëhet ndonjë lloj ekspertize për çështjen e mundësisë së epidemisë nga ana e komunës së kryeqytetit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.

    Siç edhe e konfirmon Rama, konstatimet për gjendje epidemiologjike bëhen nga tre zyrtarë komunalë dhe jo zyrtarë të shëndetit publik.

    Raporti:

    Pas një dite, Brestovci kishte dalë në konferencë për media duke e akuzuar KRM “Pastrimin” për prishje të gjashtë kamionëve të rinj, të cilat i kishte dorëzuar komuna tek ta para dy javësh.

    Më datën 6 shkurt, kemi dhënë 6 kamionë, duke shpresuar që të njëjtën ditë, ata kamionë do të jenë në operim, dhe prapë nuk janë vënë në operim. Kemi informacione që këta kamionë, kompania “Pastrimi” i ka prishur dhe ka krijuar defekte. Kjo është papërgjegjësi në kryerjen e ofrim shërbimit”, ka thënë Brestovci.

    Pas këtyre deklaratave, “Pastrimi” ka thënë se komuna po i mban peng dy kamionë dhe e ka akuzuar se po e ruan njërin për një nga gjashtë operatorët ekonomikë që pritet ta fitojnë tenderin 16 milionësh.

    Është e papranueshme dhe e turpshme që Komuna e Prishtinës po mban “peng”, dy kamionë për mbledhjen e mbeturinave, duke mos i vënë në funksion për qytetin. Dyshimet janë të bazuara: kjo po bëhet për t’i dorëzuar më vonë një kompanie private, e cila pritet të operojë me to. Ky është një keqpërdorim flagrant i pushtetit për interesa private, që tregon qartë prapavijën e vendimeve të Kryetarit Rama”, u tha pos tjerash në reagim.

    Ndërkaq sa i përket akuzave për dëmtimin e kamionëve të rinj, nga kjo kompani thonë se testimi ka ndodhur publikisht dhe në prani të kamerave, ata nuk janë dhezur.

    Sa i përket akuzave tuaja për dëmtimin e gjashtë kamionëve, kjo nuk është e vërtetë. Në prani të kamerave të mediave të ndryshme, ne i kemi testuar dhe nuk janë ndezur dhe ju Komuna është dëshmitarë për këtë. Ne ju kemi shkruar email zyrtar që në fillim, duke ju informuar për problemet teknike të kamionëve, sepse duket se ato nuk janë testuar kur i keni blerë dhe kanë pasur probleme të tilla që nga fillimi disa probleme në sistemin elektronik të kompaktorit dhe se deri më tani, nuk keni ndërmarrë asnjë veprim kur dihet se kamionët janë pronë e Komunës dhe kushtet e kontraktimit dhe garancionit janë të lidhura nga ju. Në vend që të ndihmoni në zgjidhjen e këtij problemi, ju keni zgjedhur të gënjeni para mediave duke na akuzuar se ne i kemi dëmtuar kamionët. Kjo është e turpshme”, vijon reagimi.

    Këtë veprim të Ramës e kanë kundërshtuar edhe opozita në kryeqytet, të cilët kanë thënë se komuna rrezikon t’i lë 900 punëtorë pa punë. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark