Gjenerali izraelit që e krahasoi atdheun me Gjermaninë naziste - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Gjenerali izraelit që e krahasoi atdheun me Gjermaninë naziste

    Insajderi
    11 May 2016 - 10:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fjalimi i zyrtarit ushtarak erdhi pas zbulimit se një ushtar izraelit qëlloi dhe vrau një sulmues palestinez të plagosur në kokë. Aktivistët e të drejtave të njeriut e quajtën këtë ekzekutim në rrugë, kurse prokurorët izraelitë e konsideruan një vrasje

    Në prag të ditës përkujtimore të Holokaustit, javën e shkuar një nga gjeneralët kryesorë të vendit dha një fjalim të fortë, ku i krahasoi zhvillimet revoltuese me kohën naziste të Gjermanisë në vitet 1930.

    Dhe nuk është çudi që këto fjalë e kanë trazuar shtetin hebre.

    Gjatë deklaratës së tij, major gjeneral Yair Golan, shef i stafit të forcave izraelite të mbrojtjes ose numri dy i ushtrisë izraelite, paralajmëroi shtetasit e tij për këtë sjellje të fundit, që nuk e pëlqente.

    “Nuk ka asgjë më të lehtë sesa të urresh ata që janë të ndryshëm. Nuk ka asgjë më të lehtë sesa të mbjellësh frikë e terror dhe nuk ka asgjë më të thjeshtë sesa të sillesh si një kafshë.”

    Fjalimi i tij erdhi pas zbulimit se një ushtar izraelit qëlloi dhe vrau një sulmues palestinez të plagosur në kokë. Aktivistët e të drejtave të njeriut e quajtën këtë ekzekutim në rrugë, kurse prokurorët izraelitë e konsideruan një vrasje.

    Por për shumë izraelitë të tjerë, ky ushtar ishte hero.

    Pasi rreshteri Elor Azaria u akuzua për vrasje, me mijëra bashkëqytetarë të tij u mblodhën në Sheshin e Rabinit në Tel Aviv për të shprehur mbështetjen për veprimin e tij dhe kërkuan që ai të lirohej nga burgu.

    Disa prej personave në turmë bërtitën: “Vdekje arabëve” dhe më pas sulmuan gazetarët.

    Fjalimi i gjeneralit mund të ketë ndezur reflektime në disa sektorë, por në shumicën prej njerëzve, ai nxiti kritikën. Jo të paktë ishin ata syresh, të cilët kërkuan që të largohej nga detyra.

    Të dielën, Kryeministri Benjamin Netanyahu u ndal te kjo çështje dhe e quajti këtë fjalim si skandaloz dhe të pabazë. Netanjahu u shpreh se gjenerali e nënvlerësoi Holokaustin, gjatë të cilit 6 milionë hebrenj të Europës u vranë nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre.

    Ministri i Kulturës dhe Sportit, Miri Regev, tha se Golan-i duhet që të japë dorëheqjen. “Ai nuk mund të jetë shef i stafit, një oficer që mban veshur një uniformë të ushtrisë sonë. Këtu kemi të bëjmë për një individ që delegjitimoi Izraelin”, u shpreh ai.

    Kurse opinionisti i së përditshmes “The Haaretz”, shkroi: “Unë e kam shumë të vështirë që të them, nëse ai është i zoti apo budalla apo të dyja bashkë”.

    Kjo nuk është hera e parë që ushtarakët izraelitë janë akuzuar dhe kritikuar nga anëtarët e partive të djathta të vendit, shkruan Gazeta Shqip.

    Shefi i stafit të ushtrisë, Gadi Eisenkot, u ndëshkua, pasi tha gjatë një takimi me nxënës të gjimnazit se ai nuk e pëlqen “një ushtar që zbraz breshëri plumbash ndaj një vajze me gërshërë në duar”, duke iu referuar ushtarëve që qëllojnë me breshëri automatike ndaj sulmuesve palestinezë, përfshirë këtu edhe adoleshentët.

    Edhe ministri i Mbrojtjes, Moshe Yaalon, në të njëjtën mënyrë u kritikua nga shokët e tij të krahut të djathtë, pasi tha se ata që mbështesin atë ushtar që qëlloi në kokë palestinezin “nuk mbështesin ligjet dhe vlerat tona”.

    Kurse lideri i opozitës izraelite, Yitzhak Herzog, e quajti gjeneralin Golan kurajoz.

    “Ata lunatikë që tani do të nisin të bërtasin kundër gjeneralit, duhet që të dinë diçka: kështu është morali dhe përgjegjësia. Ne nuk do të bezdisemi nga ofendimet e kritikat dhe do të vazhdojmë që të mbështesim ushtrinë izraelite dhe komandantët e saj. Gjithmonë.”

    Megjithatë, vlen të përmendet se një ditë pasi Golan-i dha fjalimin e tij, më pas nxori një deklaratë, ku i tërhiqte prapa fjalët që kishte nxjerrë nga goja.

    Gjenerali u shpreh se ai nuk kishte për qëllim që të krahasonte Izraelin me Gjermaninë naziste apo të kritikonte lidershipin aktual apo forcat e mbrojtjes izraelite, një ushtri që respekton rregullat në detyrë dhe mbron dinjitetin njerëzor.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark