Një oficer i ushtrisë, i cili shpëtoi nderin dhe reputacionin e vendit të tij, ishte Gjenerali Jovan Divjak. Një oficer i Ushtrisë Jugosllave, serb i lindur në Beograd, kur nisi lufta në Bosnjë, në vitin 1992, Divjak e gjeti veten në një pozitë të ngjashme me Baroviqin.
Me ushtrinë jugosllave dhe forcat paramilitare serbe që po zinin pozitat në dhe përreth Sarajevës dhe me të shtënat pa dallim ndaj civilëve, Divjak e bëri zgjedhjen e tij. Ai zgjodhi radhët e atyre që e mbronin qytetin, i cili së shpejti do të rrethohej. Në atë kohë, vendimi i tij do të mund të përshkruhej si vetëvrasje, marrë parasysh mundësitë që ishin në favor të forcave të armatosura serbe.
Sado që duket e pamundur, Sarajeva rezistoi, e po ashtu edhe Divjaku.
Edhe pse Karaxhiqi e Mlladiqi lanë gjurmë gjaku kudo në Bosnjë, ata nuk triumfuan. Lufta dhe rrethimi zgjati edhe për 3 vite e gjysmë, e gjatë kësaj kohe Divjak u bë zëvendëskomandant i Ushtrisë Boshnjake. Ai thjeshtë mund ta kthente shpinën, por qëndroi për ta ndihmuar dhe koordinuar rezistencën kundër një armiku më të fortë e të pamëshirshëm.
Në Serbi, ai ishte shpallur tradhtar dhe një urdhër arrest ishte lëshuar ndaj tij, me akuza të sajuara. Në vitin 2011, ai ishte ndalur në Vjenë, bazuar në urdhër arrestin e Serbisë. Pasi kaloi disa ditë në një burg austriak, dhe disa muaj në burg shtëpiak, ai përfundimisht pastroi emrin e tij. Gjykatësi austriak e pranoi se nuk kishte dëshmi që mbronin akuzat kundër tij.
Divjak aktualisht udhëheq një organizatë jo-qeveritare në Sarajevë, e cila ofron bursa për fëmijët boshnjakë që i kanë humbur prindërit në luftë. Nuk do të ishte ekzagjerim nëse thuhet se duke iu falënderuar Divjakut, serbët kanë pasur mundësi të jetojnë në Sarajevë pas luftës, pa u ndier të turpëruar.
Ai e bëri të mundur këtë gjë duke e marrë vendimin e duhur në një kohë shumë të vështirë. Sa gjatë do t’u duhet serbëve që ta shohin se Gjenerali Divjak duhet të nderohet, e jo Gjeneral Mlladiqi, i cili urdhëroi bombardimin e Sarajevës dhe u mbrojt nga autoritetet serbe deri në maj të vitit 2011?
Gjatë paraburgimit në Austri, shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë kishte kërkuar nga Divjaku që ta mbante një ditar. Në një nga shkrimet e tij në ditar shkruhet: “Ballkani është një vend fatkeq dhe i trishtë. Fatkeq sepse ndodhet në një vend ku bota përplaset dhe përballen fuqitë e mëdha; ndërsa i trishtë për faktin se banorët e tij lejojnë lehtësisht të manipulohen nga udhëheqësit e tyre.”/REL