Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pushuar hetimet ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, i cili po hetohej nën veprën penale “përdorim i paautorizuari pasurisë. Më konkretisht rreth padisë së shtetit të Kosovës ndaj Dedajt se ka përdorur tabelat diplomatike, kartelat identifikuese dhe një telefon të llojit Samsung, shkruan Insajderi.
“Sepse nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm që personat kanë kryer veprën e tillë penale”, thuhet në aktvendimin e prokurorisë për pushimin e hetimeve.
Lajmin për pushimin e hetimeve ndaj tij e ka bërë të ditur vet Dedaj përmes një shkrimi duke thënë se “drejtësia vonon por vjen”.
“Prokuroria Themelore e Prishtinës, me aktevendim ka pushuar hetimet dhe ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet, pas shkarkimit tim brutal dhe të kundërligjshëm nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, duke vendosur se: “Nuk ekziston dyshim i arsyeshëm që personi konkret ka kryer vepër të tillë penale” duke konstatuar se “duhet te pushohet hetimi, sepse nuk përmbushen elementet e veprës penale, për të cilën është filluar hetimi dhe as ndonjë vepër tjetër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, shkruan Dedaj përcjell Insajderi.
Ish-ambasadori Dedaj
‘Dua të rikujtoj se pas shkarkimit skandaloz, brutal dhe të kundërligjshëm, nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Shkup, nga V.Osmani dhe D.Gervalla, duke keqpërdorur pozitën dhe pushtetin për qëllime nepotiste, revanshizmi dhe te diskreditimit tim, dyshoj se zyrtar të caktuar brenda Ambasadës në Shkup, në bashkëpunim me zyrtar të MPJD, në Prishtine, kanë sajuar dhe shpifur për gjoja keqpërdorimet të cilat unë i kam bërë pas shkarkimit duke përdorur tabelat diplomatike të makinës sime private dhe familjare, te pasaportës dhe ID diplomatike si dhe te aparatit telefonik te dhëne gratis nga A1 e RMV, të njëjtin me kanëdetyruar t’a paguaj!
Ai ka thënë se edhe tabelat e tija private, ID-te diplomatike dhe aparati i telefonit atij i janë dhënë nga Maqedonia e Veriut e që nuk ishin pronë e Kosovës.
Në janar të këtij viti, Ministria e Punëve të Jashtme ka lëshuar urdhër për konfiskimin e tabelave të veturave zyrtare dhe të ID-ve diplomatike që sipas tyre po mbaheshin paautorizim nga ish-ambasadori Gjergj Dedaj dhe ish-konsulli, Lindon Kqira.
“Policia është në kërkim të tyre, për t’ua konfiskuar targat dhe ID diplomatike të ish-diplomatëve dhe familjarëve të tyre. Dedaj ende nuk i ka kthyer targat diplomatike NMK 50-CD-001, të cilat janë të vendosura në veturën e tij të tipit Mercedez Benz E”, thuhej në njoftimin e MPJD-së.
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj i kishte thënë Gazetës Insajderi se lajmi që ai është ne kërkim nga policia sepse nuk i ka kthyer targat diplomatike ishte lajm i pavërtetë duke e quajtur si lajm të “picimulave”
“Këto janë lajme të picimulave. S’kam çka me fol krejt këto rreth kësaj teme janë lajme të picimualve. Nuk e di për çka e keni fjalën po janë lajme te picimulave janë shpifje”, ka thënë ai për Gazetën Insajderi.
Por ka pranuar se targat diplomatike nuk i ka kthyer, duke thënë se i ka paguar vet ato.
“Unë kam regjistrim dhe tabelat diplomatike personale private d.m.th te kerrit tem privat dhe ato nuk kthehen sepse ato i kam pagu unë edhe regjistrimin te gjitha i kom pagu personalisht nuk kam marr nga buxheti i shtetit asnjë cent”, tha ai në përgjigje.
Sipas kallëzimit penal dhe aktvendimit për fillim të hetimit, dyshohej se i pandehuri Gjergj Dedaj pas shkarkimit nga pozita e Ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut nuk i ka kthyer targat diplomatike në veturën e tij private 50-CD-001, kartelat identifikuese diplomatike për të dhe familjen e tij si dhe telefonin Samsung GALAXY Note, e të cilat ka vazhduar t’i përdorë pa autorizim.
“Në bazë të të gjitha shkresave të lëndës dhe deklaratës së të pandehurve, pasuria për të cilën është dyshuar se është përdorur pa autorizim, fillimisht nuk përmbush elementet e veprës paautorizuar për të cilën është hapur rasti, pasi që përdorimi i tyre nuk është bërë në mënyrë të paautorizuar gjatë kohës sa kanë qenë të ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Shkup”, thuhet në vendim të prokurorisë përcjell Insajderin.
“Së dyti, pasuria e përdorur pa autorizim për të qenë e përdorur në këtë formë, do të duhej të ishte pasuri e kërkuesit të saj, në këtë rast Ambasadës së Kosovës në Shkup, që do të thotë, pronare e asaj pasuri duhet të jetë Ambasada e Kosovës. Në rastin konkret, tabelat diplomatike janë lëshuar për të dy të pandehurit për veturat e tyre personale nga shteti maqedon në mënyrë që ata t’i përdorin për vete e po njësoj edhe për kartelat diplomatike për vete dhe familjarët e tyre të cilat po ashtu janë lëshuar nga shtetit maqedon”, potencohet në vendim.
/GazetaInsajderi