Qindra qytetarë po marrin pjesë në meshën e shugurimit të Kishës së Llapushnikut në Drenas.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka deklaruar se paqja ndërtohet vetëm duke respektuar kishën e xhaminë, duke dashur njëri-tjetrin dhe duke respektuar shtetin.
“Pse duhet të përpiqemi që t’ia okupojmë shpirtin njëri-tjetrit dhe të mos lejojmë që të jetojmë të lirë. Një mysliman dhe një i krishter mund të jetojnë në paqe. Për këtë jemi dëshmitarë, disa i janë kthyer fesë së të parëve, që do të thotë të krishterë, dhe disa kanë vendosur që të jenë myslimanë, fesë së baballarëve dhe nuk ka asgjë të keqe”, ka deklaruar Gjergji.
“Ky identitet fetar dhe kombëtar që na bashkon, na jep neve të gjithëve domethënie të veçantë para botës”.
“Simboli i sakrificës së Jasharajve, në vend të kullave, vendi është rrethuar me varre. Ata janë shembulli më i mirë i artit të jetuarit pa nënshtrim ndaj okupimit”, ka shtuar ai.
Shumë qytetarë janë detyruar të lënë veturat larg nga kisha dhe të ecin këmbë, për shkak të bllokimit të rrugës që çn te kjo kishë.
Në këtë meshë po marrin pjesë edhe liderë institucionesh, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministrat Kujtim Shala e Enver Hoxhaj, kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, e të tjerë.
Ndërtimi i kësaj kishe ishte bërë problem mes banorëve myslimanë dhe të krishterë të kësaj anë. Kjo për faktin se banorët myslimanë nuk lëjonin ndërtimin e saj në atë vend, i cili ishte paraparë për ndërtimin e varrezave të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, duke kërkuar që ajo të ndërtohej në një vend tjetër.
Kjo u pengonte banorëve të komunitetit katolik, dhe këmbëngulën që ajo të ndërtohej aty.
Ndërtimi i saj u bë nën masa të rrepta sigurie, me policë dhe ushtarë të KFOR-it.