×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Gjermani, qeveria bie dakord për një paketë të re masash për fermerët

    Insajderi
    26 June 2024 - 09:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më pak burokraci, lehtësim nga taksat: grupet parlamentare të partive në qeveri ranë dakord për një paketë masash për bujqësinë. Një pjesë e saj do të miratohet në Bundestag javën e ardhshme.

    Qeveria e koalicionit në Berlin ka rënë dakord për reforma të reja në bujqësi. Paketa e masave është një reagim ndaj protestave të fermerëvenë fillim të vitit. Sipas drejtuesve të grupeve parlamentare, Rolf Mützenich (SPD), Britta Hasselmann (të Gjelbërit) dhe Christian Dürr (FDP), masat synojnë të lehtësojnë barrën mbi fermat dhe të forcojnë aftësinë për konkurrencë të bujqësisë gjermane.

    Pozicion më i fortë në tregti

    Prandaj, një komponent qendror i paketës është ulja e burokracisë. “Për këtë kemi analizuar gati 200 propozime nga landet federale”, sqaruan kryetarët e grupeve parlamentare. Përfaqësues të SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së njoftuan gjithashtu se pjesë e paketës ishte zbutja e taksave për të të ardhurat nga bujqësia dhe pylltaria. Me zbutjen e tatimit mbi fitimin, merret si bazë një fitim mesatar për një periudhë trevjeçare, në vend të fitimit aktual vjetor. Kjo u mundëson fermerëve të kompensojnë më mirë të ardhurat nga vitet e mira dhe të këqija.

    Përveç kësaj, blegtoria e ushqyer në kullota do të marrë mbështetje shtesë sipas Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së. Një ndryshim i ligjit synon të forcojë pozitën e fermerëve kundrejt shitësve, për shembull.

    Bundestagu do të votojë javën e ardhshme

    Zbatimi tani është detyrë e federatës dhe landeve. Paketa bujqësore pritet të miratohet në Bundestag javën e ardhshme, shpjegoi Mützenich.

    Kreu i grupit parlamentar të liberalëve FDP, Christian Dürr, deklaroi se fermerët e kishin shprehur me të drejtë pakënaqësinë e tyre në fillim të vitit. “Si koalicion ramë dakord të nisim një paketë të rëndësishme lehtësimi për fermerët”, tha politikani.

    Qeveria tërheq planet e shkurtimeve

    Sfondi i paketës së reformës janë protestat e fermerëve. Shkaku ishte plani për të shkurtuar subvencionet e naftës bujqësore, të cilën qeveria federale e njoftoi në fund të vitit të kaluar.

    Që atëherë, qeveria federale ka tërhequr një pjesë të shkurtimeve të planifikuara. Është shtrirë në tre vjet edhe heqja e subvencionit për naftën bujqësore. Koalicioni njoftoi gjithashtu se përpara verës do të ndermerrte hapa për të lehtësuar barrën e fermerëve.

    Rukwied këmbëngul për një “fillim të ri”

    Presidenti i fermerëve, Joachim Rukwied, kritikoi sërish ashpër qeverinë federale. “Ajo që na duhet është një fillim i ri,” tha ai. Berlini duhet të ofrojë një herë e mirë rezultate në mënyrë që të mos kthehet prapa në fjalën e tij, kërkoi ai në Ditën e Fermerit në Cottbus.

    Qeveria e koalicionit ka bërë shumë premtime në përgjigje të protestave masive të fermerëve, tha Rukwied. Megjithatë, ajo ende duhet të ofrojë në shumë fusha. Politikanët tani duhet të ripërqendrohen në aftësinë për konkurrencë të fermave dhe sigurinë ushqimore. Çështje të tilla si mbrojtja e klimës, biodiversiteti dhe mirëqenia e kafshëve mund të integrohen këtu. Sipas përfaqësuesve të fermerëve, protesta rreth Ditës së Fermerëve mund të priten sërish në Cottbus. “Mund të ketë një ose dy surpriza të vogla të këndshme,” tha Rukwied./DW

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark