Rritja e kundërshtimit tek disa shtete të fuqishme evropiane kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, ka bërë që të vihet në diskutim lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës para fundit të këtij viti, pavarësisht se ishte thënë që një gjë e tillë do të ndodhë në gjysmë të verës
Gjermania dhe Franca po kundërshtojnë liberalizimin e shpejtë të vizave për Kosovën, Ukrainën edhe Gjeorgjinë, për shkak të rrezikut nga rritja e fluksit të azilkërkuesve. Kjo e zbeh entuziazmin e javëve të kaluara kur edhe u dha rekomandimi pozitiv duke hedhur poshtë mundësinë që e pati premtuar Qeveria e Kosovës, për lëvizjen e lirë gjatë verës.
Gazeta gjermane “Die Welt”, duke iu referuar qarqeve të afërta me qeverinë gjermane, ka shkruar se frika e abuzimeve të reja masive të kërkesave për azil në kuadër të liberalizimit të vizave është e madhe. Sipas kësaj gazete, ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, ka thënë se kjo është arsyeja pse Gjermania dhe Franca kanë shtyrë futjen e një klauzole të veçantë, e cila parashikon se shtetet anëtare të BE-së mund të ngadalësojnë liberalizimin e vizave. (Zeri)