“Gjermanisë po i ikin mjekët, Gjermania po bënë gabime”, si po ia qajnë hallin qeveritarët e Kurtit shtetit më të fuqishëm evropian – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Gjermanisë po i ikin mjekët, Gjermania po bënë gabime”, si po ia qajnë hallin qeveritarët e Kurtit shtetit më të fuqishëm evropian

    Insajderi
    19 July 2022 - 23:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fluksit të ikjes së qytetarëve nga Kosova drejt shteteve të tjera të Evropës po i prijnë më së shumti mjekët e infermierët, shkruan Insajderi.

    Ankesat e tyre rreth kushteve që Kosova ofron u rritën edhe më shumë pas pandemisë.

    Më 25 maj të këtij viti, Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar në shëndetësi për luftën ndaj COVID-19 kishin nisur protestën para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të pakënaqësive për mosmarrjen e pagave për gati tre muaj, shkruan Insajderi.

    Si arsye e protestimit, ishte fakti se për 3 muaj të angazhuarit nuk morën asnjë pagë dhe sipas tyre kjo është papërgjegjësi institucionale.

    Por pavarësisht presionit të vazhdueshëm që po tentonin të bënin infermierët, e qytetarët e tjerë kjo tek pushtetarët kaloi pa i kushtuar vëmendje.

    Madje, disa nga ata, në vend se të ofronin zgjidhje, përdorën metodën e krahasimit për të dalë nga situata.

    Nga mjekësia e deri tek gabimet me tregun e naftës, Hekuran Murati, Rifat Latifi e Besnik Bislimi ia qanë hallin shtetit më të fuqishëm Europian, Gjermanisë, shkruan Insajderi.

    Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, kishte vlerësuar se shkuarja e mjekëve të Kosovës në Gjermani ndodh për shkak të largimit të mjekëve gjermanë nga po ky vend.

    Këto komente ai i bëri para Komisionit për Integrime Evropiane kur u përmend edhe largimi i mantelbardhëve kosovarë nga vendi.

    “Kanë ikur mjekët gjithmonë në Kosovë dhe do të ikin gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, por se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë”, ka thënë Bislimi.

    Mendim të njëjtë sikurse Bislimi ndante edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, edhe ai gjithashtu e përmendi Gjermaninë.

    Latifi tha se edhe Austria po humb mjekë edhe Gjermania poashtu.

    “Austria po i humb mjekët, ata po shkojnë në vende të tjera. Gjermania po i humb mjekët, për atë po ka nevojë për mjekë, pra nuk është vetëm problemi ynë”, ka thënë ai në Klan Kosova.

    Kurse ministri Murati, teksa komentoi kërkesat për heqje të akcizës për naftë në Kosovë ka folur pak edhe për Gjermaninë.

    Murati foli për gabimin që sipas tij po bën Gjermania në tregun e naftës.

    “Zbritja për konsumatorin, në rastin më të mirë ka zgjatur disa ditë, dhe pastaj çmimet janë ri-ngritur dhe janë kthyer pothuajse në nivelin para uljes së akcizës”, ka shkruar ai.

    “Në Gjermani tani po diskutohet se si të aplikohet taksë speciale për fitimet e kompanive të naftës, të cilat kanë shfrytëzuar uljen e akcizës nga shteti për të trashur marzhën e fitimit për vete, duke ri-ngritur çmimet vetëm pak ditë pas zbritjes fillestare”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark