×
  • Biznes
  • Biznes / Teknologji

    Gjigantët e internetit kërkojnë ligje më të forta për privatësinë

    Insajderi
    29 September 2018 - 21:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Shtetet e Bashkuara, kompanitë gjigande të komunikimit dhe të medias sociale, janë duke u bërë thirrje ligjvënsve, që të hartojnë ligje të forta për të mbrojtur të dhënat personale të amerikanëve, pa penguar novacionet e fushës së teknologjisë.

    Komisioni i Tregtisë i Senatit, dëgjoi të mërkurën dëshmitë e drejtuesve të firmave Apple, Amazon.com, Google, Twitter, dhe AT&T, në një kohë kur vazhdimisht ka probleme me të dhënat personale të njerëzve; një numër i madh amerikanësh nuk kanë dijeni se si dhe kush mund të përdorë të dhënat e tyre personale; ndërkohë autoritete shtetërore nga Bashkimi Europian e deri në Kaliforni kanë vendosur rregullore për mbrojtjen e të dhënave të konsumatorëve.

    “Privaci do të thotë më tepër se sa të kesh të drejtën të mos ndash me të tjerët informacionet e të dhënave personale. Ajo kërkon që përdoruesi të ketë në dorë kontrollin, kur është fjala për këto informacione”, – tha Nënpresidenti për Teknologjinë e Programeve Kompjuterike, Bud Tribble. “Ne besojmë se privacia është një e drejtë themelore e njerëzve, e cila duhet mbështetur me norma sociale dhe ligjore,”- tha ai.

    “Në botën e sotme, kur të dhënat janë të një rëndësie të veçantë, është më e rëndësishme se kurrë që të ruhet besimi i konsumatorëve dhe për t’u dhënë atyre kontroll mbi informacionet personale”, tha Nënpresidenti për Politikat Globale i Kompanisë AT&T, Leonard Cali.

    Drejtuesit e kompanive teknologjike u kërkuan ligjvënësve të zbatojnë standarte në nivel kombëtar, të cilat do t’i ndalonin shtetet individuale të merrnin masa nga ana e tyre, sikurse ka bërë Kalifornia.

    “Kalifornia është një shtet i vetëm dhe nëse edhe shtete të tjera do të vepronin si ajo, do të kishim rregulla të fragmentuara, me të cilat konsumatorët nuk do të përshtateshin dot, sikurse edhe kompanitë e celularëve dhe të internetit”, – tha Leonard Cali.

    Në të njëjtën kohë, senatorëve iu kërkua që ligjet të hartohen me kujdes. Një pjesë e personave që dëshmuan, thanë se Rregullorja për Mbrojtjen e të Dhënave të Përgjithshme të Bashkimit Europian, i future në zbatim në fillim të vitit, ishte tepër shqetësues për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë.

    Andrew DeVore, Nënpresident i Kompanisë Amazon.com, tha: “Ne e inkurajojmë Kongresin, që të sigurohet që rregulloret administrative nga sipër, që mund t’i kërkojnë ligjet, të rezultojnë në përfitime proporcionale, për privacinë e konsumatorëve.”

    Kongresi tashmë ka në shqyrtim ligje që lidhen me teknologjinë. Në fillim të vitit, Senatorja demokrate e Minnesotës, Amy Klobuchar dhe ai republikan i Luizianës John Kennedy, paraqitën një projektligj, i cili u kërkon kompanive të shkruajnë marrëveshje për termat e shërbimit me gjuhë të qartë dhe t’i lejojnë konsumatorët t’i rishikojnë të dhënat e mbledhura rreth tyre dhe të dinë si po përdoren dhe nëse këto të dhëna i transferohen një pale të tretë. Ka gjasa që të ketë propozime të tjera në të ardhme.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark