
Reperi Asdren Gjikolli, i njohur me nofkën artistike Gjiko, sot do të dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë si i dyshuar për dhunimin e një femre të mitur.
Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht lidhur me rastin. Organet e drejtësisë në Kosovë, posedojnë dëshmi me video se reperi Asdren Gjikolli, i njohur si Gjiko, është i përfshirë në një rast të dhunimit të një vajze të mitur. Rasti dyshohet të ketë ndodhur në banesën e tij në Prishtinë, pasi që fillimisht sipas prokurorisë ai e kishte droguar viktimën. Në aktakuzën që e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se të miturë Gjikolli e kishte mashtruar se do ta bënte këngëtare. Ekzistojnë edhe prova të tjera që dëshmojnë se Gjiko ka kryer edhe tri vepra të tjera penale.
“Gjatë kohës sa qëndronim në ballkon e banesës, nga dritarja e kam vërejtur [viktimën] duke bërë seks me Gjikon. Po ashtu e kam vërejtur Gjikon duke e incizuar atë tërësisht të zhveshur duke bërë disa skena që mua nuk më janë dukur normale”, kjo është vetëm njëra nga dëshmitë që figurojnë në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ndaj reperit Asdren Gjikolli.
Këngëtari Asdren Gjikolli-Gjiko, në mars të vitit 2017, është njoftuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, se ndaj tij është ngritur aktakuzë për veprën e rëndë penale dhunim i të miturës.
Aktakuza të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, përveç për dhunim e ngarkon Gjikon edhe me tri vepra të tjera penale: posedinimin e narkotikëve, armëmbajtje dhe moslajmërim i veprave penale.
Këto vepra penale, Gjikolli dyshohet se i ka kryer gjatë viteve 2015-2016.
Sipas aktakuzës me datat 27-28 korrik 2015, Gjiko ka rënë në kontakt me të miturën (emër i njohur për redaksinë), e më pas e ka mashtruar se do ta bënte këngëtare dhe se do ta angazhonte në spote të këngëve të tij, shkruan Gazeta Insajderi.
Pas këtyre premtimeve të Gjikos, sipas aktakuzës e mitura ka pranuar të shkoj në banesën e tij në lagjen Arbëria, në Prishtinë ku ai dyshohet se e kishte droguar dhe më pas ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
“E dëmtuara ka pranuar që të shkoj në banesën e të pandehurit dhe pasi që i pandehuri Asdren Gjikolli ka shkaktuar dehjen e saj me anë të substancave narkotike – marihunaë, me të dëmtuarën ka kryer marrëdhënie seksuale”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë që e ka siguruar Insajderi.
Për këto veprime Gjiko akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunim”.
Në dosjen e siguruar nga Gazeta Insajderi, prokuroria pretendon se ka prova të pakontestueshme duke përfshirë video, fotografi e materiale tjera për veprat për të cilat e akuzon Gjikollin.
Gjatë bastisjes në banesën e Gjikollit në Prishtinë, gjithashtu policia kishte gjetur dhe konfiskuar substancë narkotike të llojit marihuanë. Për çka Gjikollin, e ngarkon prokuria me veprën penale, posedim i pa autorizuar i narkotikëve.
Përveç kësaj, atij i është gjetur në banesë edhe një armë dore.
“Është vërtetuar se Asdren Gjikolli pa autorizim dhe pa leje përkatëse të organeve kompetente ka mbajtur një armë – pistoletë e tipit “Ekol” e cila i është konfiskuar nga zyrtarët policor”, thuhet në aktakuzë.
Lidhur me këtë veprim, Gjikolli akuzohet për armëmbajtje pa leje. Gjikolli akuzohet edhe për “Moslajmërim të veprave penale”.
Sipas prokurorisë në procesverbal mbi bastisjen e shtëpisë së Gjikollit, figurojnë edhe raporti mbi këqyrjen e vendit të ngjarjes, fotodokumentacionin dhe videoincizime të siguruara si prova materiale në këtë çështje e që sipas tyre, vërtetojnë pa mëdyshje se Gjikolli ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.
“Nga videoincizimet e siguruar nga pajisjet elektronike, gjegjësisht nga një shtëpizë e kompjuterit dhe dy USB, në këtë çështje penale janë siguruar edhe prova të tjera nga të tjera nga të cilat vërtetohet se i dyshuari Asdren Gjikolli është përfshirë në aktivitete kriminale, ku në banesën e tij shihen persona të ndryshëm duke konsumuar substance narkotike, e po ashtu shihen edhe femra të ndryshme të cilat xhirohen nga i dyshuari duke kërcyer e të cilat dyshohen se janë të moshës së mitur e po ashtu nën ndikim të narkotikëve”, thuhet më tej në aktakuzë.