Gjimnastika e opozitës lë të pasfiduar Qeverinë e Isa Mustafës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjimnastika e opozitës lë të pasfiduar Qeverinë e Isa Mustafës

    Insajderi
    26 March 2016 - 10:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për shkak të mospajtimeve brenda tri partive të bllokut opozitar, Qeveria e Kosovës ka mbetur së paku përkohësisht e pasfiduar, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës, por edhe në rrugë.

    E sfiduar me gaz lotsjellës brenda Kuvendi të Kosovës dhe me protesta jashtë tij, Qeveria e Kosovës është përballur për rreth shtatë muaj me një bllok opozitar që dukej që synimin e saj për të rrëzuar qeverinë do ta çojë deri në fund.

    Por, dy javët e fundit kanë qenë të lehta për qeverinë që drejtohet nga Isa Mustafa.

    Fillimisht, me kërkese të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partitë opozitare braktisën seancat e kuvendit, kurse me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, ato anuluan edhe një protestë popullore të thirrur për 26 mars.

    Vendimet shpërfaqën dallimet në rritje në mes të AAK-së dhe Vetëvendosjes sa i përket idesë së një liste të përbashkët në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Po ashtu, edhe vendimi i AAK-së për të braktisur kuvendin u pa si arbitrar nga ana e Vetëvendosjes, të cilët thanë se herë pas herë do të qëndrojnë në sallë.

    Dallimet u bënë publike kur Dardan Molliqaj, Sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje, konfirmoi mospajtimet rreth krijimit të një program qeverisës dhe atë se kush do t’i prijë kësaj listës zgjedhore.

    Ai e fajësoi AAK-në e Ramush Haradinajt, duke thënë se nuk kanë treguar korrektësi në këtë drejtim.

    “Kur kemi diskutuar për listën e përbashkët, programin dhe kandidatin për kryeministër, nuk kam parë tek AAK ajo që unë mendoj që ishte dashtë me qenë: që me u ndërtuar lista, koalicioni, në bazë të kritereve”, ka thënë Molliqaj, duke iu referuar kështu edhe numrit të votuesve që ka Vetëvendosje, e që është dukshëm më i madh se i AAK-së.

    “AAK, me qëndrimet e saj të njëanshme, mendoj që e ka zvogëluar fuqinë tonë goditëse në raport me pushtetin”, ka shtuar Molliqaj në një intervistë televizive.

    Por, sikur të mos mjaftonte kjo, Haradinaj i bëri me dije Vetëvendosjes se është ndjerë në siklet me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Ai ka thënë se nuk është si Visar Ymeri dhe se nuk merret me “sporte të vogla”.

    “Sepse unë para se me gjuajtë gaz, kam gjuajtë antitank, kam gjuajt tanke. Unë nuk jam aty me shkuar me u qkrry. Mua një here më ka prekur rusi me dorë, por e dini që jam mbytë me të,” ka thënë ai.

    Një deklaratë e tillë e Haradinajt mund të lë përshtypje se është si kundërpërgjigje e një deklaratë të mëhershme të ish-liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili kishte thënë se AAK bënë pjesë në ligën e dytë për korrupsion, ndërsa në të parën është Partia Demokratike e Kosovës.

    “Haradinaj i ka fyer të gjithë ata që kanë hedhur gaz në Kuvend, Donika Kadaj-Bujupin, Pal Lekajn, Time Kadriajn dhe të gjitha të tjerët opozitar që kanë hedhur gaz. Nuk më duket në rregull kjo”, ka thënë Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së në një emision në RTV 21.

    Çarja u bë edhe më e thellë të premten rreth thirrjes së një konference për media. Një ditë më parë, tri partitë opozitare e kishin ftuar një konferencë në orën 14, por vetëm gjysmë ore para se të mbahej, Vetëvendosje njoftoi për anulimin e saj.

    Disa minuta më vonë, AAK tha se Ramush Haradinaj megjithatë do të mbajë këtë konferencë. Aty u dha lajmi se në fakt opozita ka anuluar edhe protestën e 26 marsit.

    Në këtë situatë, mbetet e paqartë nëse blloku opozitar do të mund të gjejë kompromis për të vazhduar aktivitetin e përbashkët.

    Nga ajo çfarë dihet deri më tani është që Ramush Haradinaj, ka insistuar për kohë të gjatë që të udhëheqë me qeverinë e vendit.

    Këtë e kishte bërë të ditur edhe në kohën kur pjesë e këtij blloku opozitar ka qenë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, tri partitë aktuale të bllokut opozitar dhe LDK-ja u bashkuan që të mos lejojnë Hashim Thaçin si fitues i zgjedhjeve të formojë qeverinë.  Atëkohë, LDK edhe pse kishte thuajse trefish më shumë vota se AAK, u pajtua që të merr postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës e t’i lejojë drejtimin e qeveris ë Ramush Haradinajt.

    Një opozitë e bashkuar duket e domosdoshme në kushtet kur vendi qeveriset nga dy partitë më të mëdha të vendit, të cilat kanë shumicë të fortë në Kuvendin e Kosovës./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark