Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sonte në kryeqytet, përkatësisht në “Bregun e Diellit”. Detaje për rastin ka dhënë zëdhënësi i policisë, Agron Borovci.
Borovci konfirmoi se të shtënat janë raportuar rreth orës 21:30 derisa në vend të ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore. Nga veprimet e para policore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja, ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar”, konfirmoi ai.
Borovci bëri me dije se policia është duke vazhduar hetimet mbi rastin.
“Përderisa policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacion rreth identifikimit të të dyshuarve, në të njëjtë kohë po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, shtoi ai.