Ministria Turke e Arsimit Kombëtar ka vendosur në programin arsimor për vitin e ardhshëm, gjuhën shqipe dhe boshnjake si lëndë zgjedhore duke filluar që nga klasat e pesta.
Në kuadër të Ministrisë Turke të Arsimit dhe Universitetit Trakya ishte nënshkruar protokolli i bashkëpunimit me qëllim për të mundësuar që nxënësit të kenë njohuri të kulturave të ndryshme, dhe transmetimin ndaj brezave të ardhshëm të gjuhëve dhe dialektet që “jetojnë” në Turqi, shkruan Andolu Agency.
Programi mësimor i gjuhës shqipe dhe boshnjake, pasi u përgatit dhe u vlerësua edhe me kontributet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Bazë të Ministrisë së Arsimit, u paraqit në Kryesinë e Bordit të Arsimit dhe Edukimit.
Pas procesit të vlerësimit të programit kanë nisur punimet për përgatitjen e teksteve mësimore. Nxënësit që nga viti i ardhshëm mësimor do të mund të mësojnë gjuhët shqipe dhe boshnjake si lëndë me zgjedhje në shkolla që nga klasa e 5-të. /Insajderi.com