Gjuriq i kundërpërgjigjet Mustafës: Trepça është e Serbisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjuriq i kundërpërgjigjet Mustafës: Trepça është e Serbisë

    Insajderi
    16 March 2016 - 21:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka reaguar Qeverisë së Kosovës përkatësisht kryeministrit Isa Mustafa, duke  thënë se kompleksi industrial Trepça ka qenë e Serbisë dhe se Beogradi nuk do të lejojë askënd të luaj me pronën e Serbisë.

    “Çdo përpjekje për ta marrë Trepcën nga Serbia është e paligjshme dhe një shkelje e të drejtave tona”, ka thënë Gjuriq para gazetarëve në Beograd, raporton Insajderi.

    Ai citohet të ketë thënë se lidhjet biznesore në këtë kompleks industrial duhet të zgjidhen në mënyrë të civilizuar dhe jo përmes kërcënimeve apo seancave qeveritare, duke iu referuar Qeverisë së Kosovës e cila dje nëpërmjet kryeministrit Isa Mustafa kishte thënë se po afrohet “zgjidhja e afërt për Trepçën në përputhje të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës”.

    Gjuriq ka thënë para gazetarëve se është i bindur se ata që po përpiqen të vendosin njëanshëm për Trepçën duhet ta dinë shumë se Serbia dhe kreditorët e Trepçës posedojnë të gjitha dokumentet që tregojnë se Trepça është në pronësi të Republikës së Serbisë, apo një kompanie që është pronë e Serbisë.

    Gjatë së martës, kryeministri Mustafa ka treguar se mbledhjen e Qeverisë është aprovuar vendimi për themelimin e Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Trepçën, me një përbërje gjithëpërfshirëse. Ka folur edhe për kreditorët që sipas Mustafës, së shpejti do të merren informatat edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit lidhur me kërkesat e kreditorëve dhe lidhur me të gjitha borxhet për të cilat pretendohet se i ka Trepça.

    Kryeministri Isa Mustafa, sipas komunikatës së Qeverisë, ka theksuar se Trepça assesi nuk do të shkoj në Bruksel dhe se Qeveria e Kosovës me askënd nuk do të bisedojë lidhur me pronat e Republikës së Kosovës.

    “Trepça është pronë e Republikës së Kosovës, e sanksionuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe po ashtu është pronë e njohur edhe me Planin e Ahtisaarit, si bazë e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se ka biseduar edhe me ministrat serbë të kabinetit dhe duke shprehur bindjen e plotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta aprovojë ligjin i cili do të përgatitet dhe se ai do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark