“Për Serbinë është shumë e rëndësishme që integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor të jetë një nga prioritetet e politikës amerikane”, ka thënë ambasadori serb në Uashington Marko Gjuriq dhe ka shtuar se kjo i përgjigjet interesave dhe politikës së Serbisë”.
Gjuriq ka deklaruar për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, se ndikimi amerikan në Evropë është jashtëzakonisht i madh, veçanërisht në vendet që janë kryesore për zgjerimin e BE, transmeton Insajderi.org.
Duke komentuar deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, ku ka mirëpritur mesazhin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor se dera e BE-së mbetet e hapur, Gjuriq ka thënë se kohë më parë presidenti Joseph Biden ka folur për këtë me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen.
“Gjithashtu, i dërguari amerikan për rajonin tonë, Gabriel Escobar, i cili “e nderoi Serbinë” duke takuar përfaqësuesit e saj dy ditë pas emërimit të tij, foli për mbështetjen e integrimit evropian si një nga prioritetet e politikës amerikane ndaj rajonit tonë. Kjo përputhet me interesat tona, me politikën tonë”, ka thënë Gjuriq.
I pyetur për rëndësinë e letrës dërguar nga shtatë anëtarë të Kongresit presidentit Biden për të dyfishuar vëmendjen e Amerikës ndaj tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, Gjuriq ka thënë se “nuk do të nënvlerësonte rëndësinë e ndonjë letre të ndonjë kongresmeni, por se koha kur shqiptarët ishin të vetmit që lobojnë në Uashington moti ka kaluar”.
Gjuriq ka pretenduar se “lobi serb në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 30 anëtarë dhe se numri i atyre që e kuptojnë qëndrimin e Serbisë për Kosovën dhe nevojën për të arritur një zgjidhje kompromisi që nënkupton kënaqjen e interesave të të dyja palëve po rritet çdo ditë”.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që unë jam duke zbatuar një luftë diplomatike të qetë, por këmbëngulëse për pozicionin e Serbisë”, lavdërohet ambasadori serb./Insajderi.org.