
Një mbledhje komemorative është mbajtur të ënjtën pasdite në Graçanicë për të shënuar 12 vjetorin e ngjarjeve të marsit të 2004-s në Kosovë. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili ka thënë se ngjarjet e atij viti kanë pasur për qëllim dëbimin e serbit të fundit nga Kosova, raporton Insajderi.
“Ishte dhunë masive dhe e orkestruar e cila nuk mund të bëhej pa përgatitje të plota”, ka thënë Gjuriq, citojnë mediat serbe.
Sipas tij, ngjarjet e marsit të vitit 2004 kanë qenë faza e fundit në skemën, qëllimi i së cilës ka qenë spastrimi absolut etnik dhe dëbimi i të gjithë serbëve.
“Por kjo u penguar me reagimin e vonuar të forcave ndërkombëtare, por edhe më shumë me vendosmërinë heroike të popullit tonë për të qëndruar në këto troje tona”, ka thënë Gjuriq, teksa u ka bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë krenar dhe trima.
Ai theksoi se Prishtina ka qenë shtëpia e 50 mijë serbëve ndërsa Fushë Kosova vend i mbi 20 mijë serbëve.
“Të gjithë këta kanë qenë të detyruar të largohen nga provinca për shkak të kombësisë së tyre”, ka thënë Gjuriq, citojnë mediat ndërkombëtare.