Karrigia është sinonimi kryesor i një pune në të cilën ke pushtet në Kosovë. Gjithashtu mbetet sinonim i një pune që njihet si “punë e shtetit”. Mospasja e kësaj karrigeje të bënë një njeri të pa pushtetshëm e në këtë mënyrë të parëndësishëm.
Ndërsa lëkundja e karriges së tjetrit, nënkupton kërcënim për të pushtetshmin. Edhe nëse këtë lëkundje tenton ta bësh nëpërmjet një kënge.
Këtë e ka ndjerë në lëkurë më së miri bendi i njohur “Gjurmët” të cilët në vitin 1980 do ta këndonin këtë këngë vetëm në një performancë live. Por nuk kishin arritur ta incizonin si këngë.
Migjen Kelmendi, këngëtari i bendit “Gjurmët”, kujton sesi kjo këngë nuk ishte lejuar të incizohej pikërisht se kishte lëkundur burokracinë e asaj kohe. Burokracinë që më shumë ishte regjim që njihej zyrtarisht si Jugosllavi.
Kësisoj kjo këngë kishte mbetur e pa incizuar. Deri në një moment kur pas më shumë se 30 vitesh, dy djem të ri që formuan një bend të quajtur “Oborri” bashkë me hip-hop artist i quajtur Taste2 do të vendosin për ta rikthyer këtë këngë në një version tjetër.
Por me një mesazh gati të njëjtë.
Edhe pse vet Kelmendi që sot është i përfshirë goxha shumë në politikë si komentues i saj, thotë se konteksti i këngës atëherë dhe tash është pak a shumë i njëjtë.
“Problemi mbetet burokracia dhe sinonimi i saj karrigia. Tash burokracia ka ndryshue dhe nuk asht e njëjta, ashtu sikurse që nuk asht e njejtë as kanga e përpunime nga këta djem që më ka pëlqye shumë”, ka thënë Kelmendi për Insajderin.
Pak a shumë njejtë mendojnë edhe dy djemtë e “Oborrit” një grup i krijuar rishtazi prej dy muzikantëve të rinj, Tomor Kuçi dhe Arbër Salihu, të cilët për këtë këngë kanë thirrë edhe reperin e njohur Taste2.
Për Tomorin, bashkëjetesa shumë e natyrshme mes tekstit i cili është shkruar në vitet ’80 prej Migjen Klemendit dhe Taste2 që është shkruar tash, tregon më së miri kontekstin e kësaj kënge.
“Një takim mes kohësh që kanë shumë ngjashmëri mes vete sa i përket hierarkisë së pushtetit, keqpërdorimit të karriges si kontekst i këngës”, thotë Tomori.
Në fund të videoklipit “Karrigat”, i punuar me regji Arbër Salihut dhe Ilir Hasanaj, është një moment kur Taste2 së bashku me Tomorin dhe Arbërin qohen me revoltë nga karriget në të cilat janë ulur gjatë videoklipit dhe kjo i shkon më së miri përshkrimit të revoltës ndaj këtij sistemi të karrigeve.
Përderisa teksti i shkruar prej Migjen Kelmendit është një rrëfim për karrigat “që të shohin edhe pse ti nuk i sheh”, reperi Taste2 e sjellë rrëfimin për karrigen që thotë : “Nuk nihna i respektumë, kur kqyrin m’u ulë me dhunë”.
Sipas Arbër Salihut, ngjashmëritë mes versionit të “Gjurmëve” dhe të tyre, janë të mëdha për këtë këngë.
“Gjithsesi mundesh me i gjet ngjashmëritë në mes të instinktit kontrollues të pushtetit të kohës së Gjurmëve dhe ditëve të sotit. Megjithatë, fakti që sot mundemi me publiku nji këngë dhe të shprehem lirshëm me të e bën krejt dallimin e botës”, thotë Salihu, i cili ka bindjen se “shumë prej nesh jemi duke e mbivlerësuar ndikimin e pushtetit në jetët tona”.
Për Tomorin dallimet mes karriges së viteve ’80 dhe tash janë më shumë estetike.
“Sot përdoret një lloj druri më i shtrenjtë dhe rrota më kualitative për ndërtimin e karrigeve. Jetojmë në një kohë tjetër, por konteksti i karriges mbetet pak a shumë i njëjtë fatkeqësisht”, thotë Tomori.
E ky dallim sipas tij është shumë i rëndësishëm: koha në të cilën jetojmë.
“Për dallim prej viteve ’80, kur Gjurmëve nuk iu lejua publikimi i një këngë të tillë, tash jetojmë në një kohë kur “Youtube” është televizori i ditëve tona”, thotë Tomori.
Për të është esenciale që këto mundësi të kohës të shfrytëzohen sa më shumë në favor të zhvillimit të shoqërisë. Por për këtë, Tomori thotë se de duhet shumë punë dhe entuziazëm.
E për Arbërin, nuk është e domosdoshme vëmendje e pushtetit për ta kryer obligimin qytetar. Ai ka bindjen se nëse të gjithë e kryejnë këtë detyrë me përkushtim, atëherë edhe pa ndihmën e pushtetit, do të hapen rrugët nëpërmjet të cilave mund të ecet përpara.
“Work baby, work!”, thotë ai në fund të intervistës.