Gjykata e Apelit ia ka zbutur me dy vjet dënimin serbit Slobodan Gavriq, pas ankesës së trupit mbrojtës të tij.
Gavriq ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 29 qershor të këtij viti, për shkak se kishte për qëllim që me 12 kilogramë eksplozivë të destabilizojë dhe të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Kosovës.
Siç njofton Gjykata e Apelit përmes një kumtese, Gavriq është i akuzuar për veprën penale: përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Po ashtu Gjykata e Apelit njofton se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim.
“S.G është dënuar me 11 vjet burgim, për veprën penale: Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, nga 13 sa ishte dënuar në shkallë të parë. Pjesa tjetër e aktgjykimit ka mbetur e pa ndryshuar”, njofton Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit, i ka pranuar vlerësimet e rrethanave relevante për matjen e dënimit, të gjykatës se shkallës se parë, por ka gjetur se në pranimin e rrethanave lehtësuese të aplikuara, ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë, duke pasur parasysh faktin se i akuzuari me pranimin e veprimeve inkriminuese, ka kuptuar pasojat e veprimit të tij.
Pretendimet tjera të mbrojtjes janë refuzuar si të pa bazuara. /Insajderi.com