Gjykata e Apelit ka liruar nga akuza për korrupsion, ish-ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie Kapllan Halimi ndaj të cilëve më 1 qershor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë shpalljen e aktgjykimit, ku ish-ministri Rikalo ishte dënuar me 3 vjet burgim, kurse Halimi me 2 vjet e 6 muaj burgim.
“I. APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të akuzuarve N.R, av.Miograd Brkljac dhe K.P, av.Artan Qerkini, si dhe sipas detyrës zyrtare, NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.74/19, datë 01.06.2023 , ashtu që të akuzuarit: N.R dhe K.P: konform nenit 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP): LIROHEN NGA AKUZA”, thotë aktgjykimi e Apelit të shpallur më 21 qershor 2024.
Po ashtu, Apeli ka vërtetuar pafajësinë për të akuzuarit Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Leon Thaçi dhe Albana Zeqiri, të cilët edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishin liruar nga akuza, pasi që nga provat e administruara nuk ishte vërtetuar se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale për të cilën janë akuzuar.
“I.REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.74/19, datë 01.06.2023, për pjesën liruese VËRTETOHET. Pjesa e ankesës së PSRK-së lidhur me vendimin mbi dënimin për të akuzuarit N.R dhe K.P mbetet jo lëndore”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.